Sot më 16 gusht janë bërë 46 vjet që kur u nda nga jeta këngëtari dhe aktori amerikan me famë ndërkombëtare, Elvis Presley.
Historia e pabesueshme e jetës së legjendës së muzikës, Elvis Presley filloi kur Elvis Aaron Presley lindi nga prindërit, Vernon dhe Gladys Presley në një shtëpi me dy dhoma në Tupelo të Mississippit, më 8 janar të vitit 1935.
Vëllai i tij binjak, Jessie Garon, lindi i vdekur, duke e lënë Elvisin të rritet si fëmijë i vetëm.
Ai dhe prindërit e tij u transferuan në Memphis të Tennessees në vitin 1948, dhe pesë vjet më vonë, Elvis kreu shkollën e mesme “Humes” atje.
Zhanret e preferuara muzikore të Elvisit ishin muzika ‘Rock ‘n Roll dhe ajo ‘country’ e asaj kohe, muzika e ungjillit që dëgjonte në kishë dhe në këngët e ungjillit që i këndonte thuajse tërë natën, pa e harruar edhe ‘R&B’ që ai përvetësoi në “Beale Street” si adoleshent i Memphisit.
Në vitin 1954, Elvis filloi karrierën e tij të të kënduarit me “Sun Records” në Memphis.
Në fund të vitit 1955, kontrata e tij e regjistrimit iu shit RCA Victor, derisa vetëm një vit më vonë ai u bë një sensacion ndërkombëtar.
Me një tingull dhe stil që kombinonte në mënyrë unike ndikimet e tij të ndryshme muzikore dhe mjegullonte e sfidonte barrierat sociale dhe racore të kohës, ai hapi një epokë krejtësisht të re të muzikës dhe kulturës popullore amerikane.
Presley luajti në 33 filma të suksesshëm, bëri histori me paraqitjet e tij televizive dhe mori mirënjohje të madhe përmes koncerteve të tij të shumta, shpeshherë rekorde.
Në nivel global, ai ka shitur mbi një miliard disqe, më shumë se çdo artist tjetër.
Ndër arritjet e tij të shumta ishin 14 nominime për “Grammy” (3 fitore) nga Akademia Kombëtare e Arteve dhe Shkencave të Regjistrimit, çmimi “Grammy” për arritje jetësore që ai mori në moshën 36-vjeçare dhe emërimi i tij një nga dhjetë të rinjtë më të shquar të kombit për vitin 1970 nga Shtetet e Bashkuara.
Pa asnjë nga privilegjet e veçanta që statusi i tij i famshëm mund t’i kishte ofruar, Elvis i shërbeu me nder vendit të tij në ushtrinë amerikane.
Talenti i tij, sensualiteti, karizma dhe sensi për humor e bënë atë të dashur për miliona njerëz, ashtu si edhe përulësia dhe mirësia njerëzore që tregoi gjatë gjithë jetës së tij.
I njohur në mbarë botën me emrin e tij të parë, ai konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës popullore të shekullit të njëzetë.
Elvis vdiq në shtëpinë e tij në Memphis më 16 gusht të vitit 1977 në moshën 42-vjeçare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.