Trashëgimi

Mbishkrimi me emrin e Justinianit të Madh i zbuluar në Ulpianë, arkeologët: Dëshmi e vazhdimësisë të identitetit iliro-dardan

Nga Gazeta Si - Në parkun arkeologjik “Ulpiana” në Kosovë është zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të madhe historike.

Në mbishkrimin e zbuluar në dyshemenë e një katedraleje me dimensione gjigante përmenden emrat e Justinianit të Madh dhe gruas së tij Theodora si themelues të qytetit dhe dedikues të kishave gjigante në qytetin e Dardanisë, Justiniana Secunda. Po ashtu përmendet edhe “Urbem Dardaniae” (Qyteti i Dardanisë).

Gërmimet po kryhen nga Universiteti i Prishtinës, École Normale Superieur dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe udhëhiqen nga Arben Hajdari (Departamenti i Antropologjisë/UP), Christophe Goddard (ENS) dhe Milot Berisha (IAK). Pjesë e këtij projekti është edhe arkeologu Ilir Culaj dhe një numër i madh i studentëve dhe ish-studentëve nga Departamenti i Antropologjisë.

Udhëheqësi i këtyre gërmimeve, Arben Hajdari thotë për Gazetën Si se ky zbulim sjell fakte të reja për historinë dhe paraqet një nga gjetjet më të rëndësishme në gjithë historinë e arkeologjisë kosovare.

“Zbulimi i mbishkrimit në mozaikun e katedrales së Iustiniana Secundes paraqet një nga gjetjet më të rëndësishme në krejt historinë e arkeologjisë kosovare. Si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar kemi arritur këto rezultate te vyeshme dhe presim që gërmimet të vazhdojnë edhe viteve që po vijnë”, thotë për Gazetën Si udhëheqësi i këtyre gërmimeve, Arben Hajdari.

Sipas Hajdarit, përveç gërmimeve “ne po kujdesemi që të formojmë kuadro të reja dhe specialistë të fushave përkatëse, të cilët në të ardhmen do japin kontributin e tyre në ekspeditat e reja”.

“Shfrytëzoj rastin të falënderoj Bashkimin Evropian për financimin e këtij projekti dhe institucionet vendore për përkrahjen e vazhdueshme”, thotë ndër të tjera Hajdari.

Për arkeologun Ilir Culaj, zbulimi i këtij mbishkrimi dëshmon që Dardania vazhdon të ekzistojë si identitet të paktën deri në shek. VI pas.K.

“Gërmimet e realizuara në Ulpianën antike këtë vit kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Mbishkrimi i zbuluar dëshmon që Dardania vazhdon të ekzistojë si identitet të paktën deri në shek. VI pas. K. Prof. Arben Hajdari, Christophe Goddard dhe Milot Berisha janë udhëheqësit e këtij projekti dhe puna e tyre e vyeshme po arrin të sjellë rezultate të tilla”, shprehet për Gazetën Si, arkeologu Ilir Culaj.

Sipas Culajt, këto zbulime janë shumë të rëndësishme “për faktin që po dëshmojnë një vazhdimësi mijëra vjeçare të identitetit iliro-dardan në këto troje”.

“Gërmimet do vazhdojnë edhe në vitet që vijnë dhe shpresojmë që zbulime të reja të dalin në dritë”, vijon më tej arkeologu.

Momente nga gërmimet

Zbulimit po i bëhet jehonë nga vizitorë të rëndësishëm që kanë vërshuar këto ditë aty.

Që kur është njoftuar për këtë zbulim, parkun arkeologjik të Ulpianës e kanë vizituar figura të larta të politikës dhe diplomacisë në Kosovë.

Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku ka shkruar se ky është “një zbulim që formëson historinë, një dedikim i fuqishëm nga Perandori Justinian është zbuluar në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”

“Ekipi i arkeologëve në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij”, ka shkruar ai.

Sipas Çekut mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës.

“Kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, ka theksuar Çeku.

Për zbulimin në këtë park arkeologjik ka shkruar edhe Presidentja Vjosa Osmani pasi ka bërë një vizitë atje.

“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë. Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidh të tashmen tonë me të kaluarën e largët. Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, ka shkruar Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë