Gazeta Si – Nga 9 janari 2023, kur Frederik Vaseur hyri për herë të parë te Ferrari në rolin e drejtuesit kryesor të skuadrës, kanë kaluar 7 muaj. Nuk kanë shkuar siç ai dëshironte, ndërsa pushimet verore të Botërorit të F.1 e kanë ndihmuar atë për një arsyetim më të thellë.
Në një intervistë të fundit për ‘Gazzetta dello Sport’, Vaseur ka bërë me dije se në vitin 2024 Ferrari do të ndryshojë inxhinierët dhe filozofinë e projektit.
“Nuk i prisnim këto rezultate, por gjithçka ishte e dukshme që ditën e parë në pistë. E rëndësishme është se si reagon si grup. Dhe reagimi ka qenë i mirë, por për t’u kthyer në maja duhet kohë. Kur flitet për F.1, njerëzit mendojnë se problemet zgjidhen për një javë, por nuk është kështu. Është sikur të drejtosh një anije shumë të madhe.

Merkatoja e personelit të garave është si ajo e futbollistëve, 50 teknikët më të mirë kanë kontrata 3-vjeçare ose më shumë dhe për t’i marrë duhet të presësh që ato të skadojnë, sepse rrezikon penalitete, apo duhet të paguash për t’i liruar para kohe. Është e komplikuar. Që një inxhinier të vijë këtu, duhet të bindim së pari atë, më pas gruan e tij dhe pas një jave edhe fëmijët e tij…”
Vaseur më pas ka pranuar se Ferrari nuk po ecën si duhet për çështje aerodinamike, ndërsa për dy pilotët Leklerk dhe Sainz ka thënë se mund të kishin bërë më mirë. Pastaj për të ardhmen drejtuesi i skuderisë italiane ka saktësuar:
“Për makinën e 2024-ës jemi ende te konceptet filozofike. Numrat thonë se duhet të jesh agresiv në projekt, por me simulimet jemi tashmë në maksimum. Duhet të arsyetojmë ndryshe, të gjejmë mekanizma, falë të cilëve pilotët mund ta drejtojnë makinën pa qenë gjithmonë në limite. Duhet të jemi gati për Bahrejnin në mars dhe kemi përpara shumë muaj.
Kemi marrë rreth 25 persona në skuadër, por duhen më shumë. Do ndryshojmë inxhinierët. Kemi firmosur me një emër të nivelit të lartë (Loik Serra), që fillon punën më 1 janar 2025, por duhet ta kemi më parë. Si ta bind Toto Volf ta lirojë? Do ta provoj kur të jemi në barkë bashkë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



