Ka ndodhur

Dy aksidente të rënda në Divjakë dhe Bulqizë, një i vdekur dhe 3 të plagosur

Gazeta Si – Dy aksidente tragjike kanë përgjakur rrugët e vendit mbrëmjen e kësaj të enjteje në Lushnjë dhe Bulqizë, me një të vdekur dhe 3 të plagosur. Aksidenti i parë me pasojë vdekjen, ka ndodhur në fshatin Stravec të Divjakës, Lushnjë.

Policia njofton se shoferi i makinës tip “Porsche”, M.L., ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.

Fatkeqësisht, pasagjeri që ndodhej në makinë, 30-vjeçari D.Sh., nuk i ka rezistuar plagëve të marra e për pasojë ka humbur jetën. Shoferi i mjetit është lënduar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Aksidenti i dytë me pasojë dy të plagosur, ka ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Gurët e Skënderbeut në vendin e quajtur Vajkal.

Sipas policisë së Bulqizës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes, ku makina tip Benz ka dalë nga rruga duke përfunduar në livadh.

Drejtuesit e tjerë, të cilët lëviznin në këtë aks rrugor kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Sipas mjekëve, dy personat që udhëtonin në automjet kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar në spital.

Ende nuk dihet cilat janë shkaqet e aksidentit, ndërkohë që sikurse duket nga pamjet, mjeti ka përfunduar disa metra në një parcelë në anë të rrugës, me dëme të shumta materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë