Motosport

Fitorja e 8-të radhazi për Maks Vershtapen, Red Bull-i bën ligjin edhe në Belgjikë

Gazeta Si – Asnjë dyshim, asnjë paqartësi: edhe në Spa-Francorchamps ishte Maks Vershtapen ai që imponoi ligjin e tij. Kampioni në fuqi i botës rikuperoi në pak xhiro, pas nisjes nga rreshti i 3-të, dhe e administroi mirë garën e Belgjikës deri në flamurin me kuadrate.

Serxhio Perez kompletoi dopietën e Red Bull-it, ndërsa Leklerk mbrojti me shpirt nëpër dhëmbë shkallën e tretë të podit nga sulmet e Ljuis Hemiltonit, që e mbylli në vend të 4-t, përpara Fernando Alonsos dhe shokut të skuadrës Xhorxh Rasëll.

Asgjë e mirë për ferraristin tjetër Karlos Sainz, i cili pati një kontakt me MekLarenin e Oskar Piastrit që pas fillimit të garës. Australiani menjëherë ‘ko’, kurse spanjolli vazhdoi në fundin e grupit deri në momentin që u thirr në bokse për t’u tërhequr.

Në Botëror është fitorja e 10-të për Vershtapen, e 8-a radhazi, që e lejon holandezin të shkojë në kuotën e 314 pikëve, 125 më shumë se Perez, shoku i skuadrës.

Vendi i 4-t në Spa-Francorchamps dhe pika bonus për xhiron më të shpejtë e lejon Hemiltonin të shkojë vetëm 1 pikë pas Alonsos, të cilin anglezi e parapriu në finish: 149 pikë ndaj 148. Vendi i 3-të në Belgjikë ndërkohë ndihmon Sharl Leklerk të kalojë shokun e skuadrës Sainz dhe të kapë Xhorxh Rasëll në vendin e 5-të të klasifikimit të përgjithshëm, me 99 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë