Trashëgimi

‘Ngjyrat e Sarandës’, eventi që i dha jetë folklorit në Sarandë

Nga Gazeta Si - Ndonëse turistët janë mësuar që në qytetin bregdetar të Sarandës të shijojnë vetëm detin dhe diellin, mbrëmjen e 29 korrikut iu dha mundësia që ta njohin këtë qytet edhe në një dimension tjetër, atë që lidhet me trashëgiminë kulturore.

Teksa mbrëmja ra, dritat u ndezën dhe anijet lëviznin, aktiviteti “Ngjyrat e Sarandës” e ringjalli akoma më shumë shëtitoren e qytetit me aromën e traditës, me veshjet, vallet e muzikën popullore.

Trashëgimia kulturore në rrethin e Sarandës ngahera ka qenë një nga thesaret e rëndësishme të artit, për rajonin më jugor të vendit dhe për gjithë Shqipërinë.

Por, “Ngjyrat e Sarandës” e riktheu edhe njëherë në vëmendje këtë traditë të pasur folklorike, duke ringjallur jetën kulturore dhe artistike të rrethit.

Konceptuar në formën e një parade/pasarele veshjesh, ku burra dhe gra të moshave të ndryshme, por edhe vajza dhe djem të rinj veshën veshjet e veçanta tradicionale të zonës së Sarandës, ky event i transmetuar edhe në mediat online bëri që turistët të njiheshin më nga afër me të gjitha ngjyrat kulturore të kësaj zone.

Në një mbrëmje ku mbizotëroi kënga popullore, burra dhe gra të veshur me kostumografinë karakteristike të zonës, u kapën dorë për dore për të kërcyer vallet e rrethit të Sarandës. Por nuk kanë qenë të paktë as pushuesit që u janë bashkangjitur në valle.

Drejtuesi artistik i “Ngjyrat e Sarandës”, Xheladin Beqiri thotë për Gazetën “Si” se ky spektakël live me këngë, valle dhe me paradë të kostumeve ishte aktiviteti me më shumë njerëz që ka pasur në shëtitoren e qytetit këto vite.

“Gërshetimi i formacioneve mbi kostumet e zonave dhe këngët polifonike u duartrokit disa herë. Kulmin programi e arriti kur sheshi u pushtua nga vizitorët dhe turistët e huaj, duke hedhur valle të gjithë bashkë për shumë minuta nën tingujt e valleve jugore”, shprehet Beqiri për Gazetën “Si”, ndërsa shton se në aktivitet që u përfshinë shumë njerëz, duke qenë se jemi në kulmin e sezonit turistik.

Beqiri thotë se qëllimi kryesor i eventit ishte që të njihnin dhe mësonin më shumë për kolorin e kostumeve të Sarandës, Delvinës, bregdetit dhe Çamërisë dhe kjo u realizua plotësisht, si me informacionet, por dhe paradën e tyre.

“Çdo paradë me veshjen popullore të një zone të caktuar u mbyll me një këngë apo valle tradicionale nga grupe muzikore të ardhur nga trevat që përfaqësojnë veshjet e treguara”.

Për të sjellë akoma hare për pushuesit, pjesë e eventit ishte dhe grupi polifonik “Shqiponja” dhe grupi “Elpidha” i valleve të minoritetit.

Këngët e interpretuara, vallet, kostumet popullore bënë që në Sarandë të gjallonte e të ishte kryefjalë e një mbrëmjeje të sezonit veror folklori e tradita. I gjithë publiku pa nga afër të gjitha ngjyrat e qytetit, por në mënyrë të veçantë, rinia ishte një nga grupet e synuara.

“Shumë turistë erdhën të bënin fotografi. Ishin kurioz që përpara eventit, donin të bisedonin me folkloristët për kostumografinë”, shton më tej Beqiri.

Pjesë e eventit ishte edhe miksimi i folkut me detin dhe lundrimin, pasi “Ngjyrat e Sarandës” ku u shpërfaq i gjithë identiteti i qytetit u mbyll me një shëtitje dhe “cocktail” që u organizua në anijen “Si Saranda”, e cila, përveç tureve ditore në plazhet më të bukura të Sarandës, ofron edhe ture në darkë në gjirin e Sarandës.

“U kënduan këngë edhe në anije. Po ashtu u shërbyen ushqime tradicionale, qumshtori, byrek, sallata… etj, duke bërë kështu pjesë të eventit edhe kulinarinë”.

Sipas drejtuesit artistik, Xheladin Beqiri, këto lloj koncertesh janë me shumë vlera, sepse kështu në shesh njerëzit gjejnë veten, si ata që duan këngën, si ata që duan vallen, por edhe ata që pëlqejnë informacione mbi të.

“Por më e rëndësishmja është që kalojnë një mbrëmje ndryshe nga rutina e zhurmshme e muzikës së lartë. Të tilla organizime duhet të jenë të herëpashershme në brigjet e deteve në këto ditë të nxehta behari”, thotë ndër të tjera Beqiri.

Beqiri ka dëshirën e mirë, që ky event të vijojë vit pas viti, duke u pasuruar edhe me elementë të tjerë të kulturës popullore.

“Objektivi është që ky projekt të bëhet i përvitshëm në qytetin e Sarandës, ku çdo vit do të shtohen dhe pasurohet me elementë të kulturës popullore, veshje, këngë, valle, instrumente muzikor, si edhe kulinari”.

Në të ardhmen ky projekt mund të shtrihet edhe në të gjithë jugun e Shqipërisë, duke promovuar kështu të gjitha ngjyrat dhe vlerat e trashëgimisë kulturore në këto treva të pasura në tradita e folklor.

Eventi u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës, pjesë e programeve mbështetëse kulturore për sezonin turistik 2023, nën logon “Kult Art 2023”. Janë të shumta projektet që janë financuar nga ministria dhe që priten të marrin jetë edhe në muajt në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë