Ka ndodhur

Shpërndanin drogë në plazhin e Gjipesë, mes 4 të arrestuarve dhe një 21-vjeçare

Gazeta Si – Katër persona, mes të cilëve dhe një vajzë 21-vjeçare, u arrestuan nga policia e Himarës, pasi të armatosur shpërndanin në plazhin e Gjipesë lëndë narkotike për turistët.

Policia njoftoi se E.Gj., 37 vjeç, banues në Fier; M.Dh., 41 vjeç banues në Vuno; G.B., 28 vjeç banues në Tiranë; dhe M.Z., 21 vjeç banuese në Tiranë, funksiononin në formën e një grupi kriminal. Gjatë aksionit atyre iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri gjysëm automatike me një krehër, 256 fishekë luftarakë, rreth 600 doza lëndë narkotike, 2 peshore elektronike, radio marrëse-dhënëse si të policisë, thikë, 2 aparate celular dhe një automjet të llojit fuoristradë të markës “Toyota”.

Të katër shtetasit e vënë në pranga, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike tek pushuesit dhe turistët, që frekuentonin gjirin e Gjipesë.

Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë