Gazeta Si – Një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, është zbuluar në Korçë.
Policia thotë se pas 5 muajsh hetime janë arrestuar 3 persona: Thanas Sholla, Besnik Dine, Artur Rakipi.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti në banesat e Shollës dhe Dines pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.
Në banesën e Rakipit u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.
Nga hetimet e kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, kundrejt pagesave të konsiderueshme nga 300 euro deri në 10000 euro, prodhonin dhe ju shisnin personave të interesuar, shqiptarë dhe shtetas nga vendet e treta, dokumente shqiptare dhe të huaja, të falsifikuara, për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme”, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




