Lajme

Dita e 13 e protestës, banorët e “Astirit” bllokojnë sërish rrugën

Banorët e “Unazës së Re” në kryeqytet kanë vijuar protestën e tyre në ditën e 13. Ata kanë bllokuar edhe sot pasdite rrugën, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre të cilat do të prishen sepse preken nga projekti për Unazën e Re.

Të gjithë jaaë të gatshëm që shtëpitë e tyre të prishen për shkak të projektit të qeverisë, por me kusht që të dëmshpërblehen plotësisht, përfshirë dhe ata që janë në proces legalizimi.

Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe deputetë të opozitës. Ditën e djeshme ata protestuan para bashkisë së Tiranë dhe kërkuan takim me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë protestës së djeshme pati edhe përplasje fizike mes banorëve dhe policisë bashkiake. Nga kjo përplasje morën dëmtime fizike disa prej punonjësve të Policisë Bashkiake.
Projekti përfshin ndërtimin e të gjithë Unazës së Madhe të Tiranës edhe rehabilitimin e plotë të segmentit të parë të hapur Sheshi Shqiponja-Pallati me shigjeta. Punimet do të zgjasin 2 vjet, ndërsa sfidë do të jetë menaxhimi i trafikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë