Politike

Inceneratorët / Berisha: Rama po bën kurban Peleshin, Felaj s’firmosi për Tiranën. Bashën e fut në burg kur do   

Në konferencën e të premtes për mediat, Sali Berisha publikoi një shkresë ku nis debati për inceneratorët.

“Këtu, unë kam një vendim të datës 2 nëntor të vitit 2014. Edi Rama me firmën e tij rishikon buxhetin afatmesëm dhe fut në këtë rishikim djegësin e Elbasanit, kontrata për të cilin do firmosej vetëm një muaj më vonë. Kjo shkresë është e datës 2 nëntor, në një kohë kur kontrata është firmosur ditën fatale, siç e kanë quajtur mediat, të qeverisë për djegësat, 16 ose 17 dhjetorin.

Së dyti, Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit. Kryetari i komitetit ndërministror të emergjencës civile, e ka quajtur veten Edi Rama dhe keni këtu të firmosur planimetrinë dhe lejen e ndërtimit.

Së treti, Edi Rama, tani të lexojmë pak shkresën, sepse këtu Peleshi ka firmosur në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi. Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kurrë kush pa autorizimin e tij”, tha Berisha, për të kaluar më pas tek ajo që synonte.

“Mund të jetë pesë zëvendëskryeministra, asnjëri nuk mund të firmosë nëse nuk autorizohet nga kryeministri. Autorizimi i kryeministrit për firmën mbi dokument është përgjegjësi e plotë e kryeministrit.

Dmth autorizimi që i bën kryeministri, e bën atë përgjegjës njëlloj, sikur ka firmosur vetë sepse Këshilli i Ministrave me Kushtetutë, drejtohet nga kryeministri dhe jo nga zëvendësi. Në çdo rast, kur një firmë vihet në mungesë dhe me porosi, përgjegjësia e parë është e atij që ka porositur. Se si mendon Rama të shpëtojë, duke bërë kurban Peleshin, kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka drejtësi në botë që mund ta bëjë këtë.

Peleshi është përgjegjës vetë se ka firmosur një akt të kundërligjshëm dhe çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin, është përgjegjës për veprimin e tij përpara ligjit. ndaj kjo jo nuk e lehtëson Ramën, por përkundrazi bën përgjegjës Ramën dhe zëvendësin e tij, i cili mesa duket do të shkojë bashkë me të”, tha Berisha. Më tej, ai tha se, “Rama ka firmën në financimin me fondin rezervë të qeverisë të djegësit të Elbasanit”

Berisha përcolli gjithashtu një detaj se deputetja e PS-së, Ermonela Felaj ishte kundër inceneratorit te Tiranës. tha gjithashtu

“E fundit te firmat është firma e tij fatale mbi dhënien e bonusit prej 8 pikësh të një kompanie që nuk ekzistonte kurrë, tetë muaj përpara se ajo të themelohej.

Dhënia në dhjetor të vitit 2016 për kompaninë Integrated, edhe pse Ermonela Felaj e ka informuar me shkresë se kjo nuk mund të ndodhë pasi kompania nuk ekziston.

Ky ishte projekti i djegësit të Tiranës me të cilin jo vetëm ai, por edhe gjeneratat që do vijnë do të bëheshin të pasur.

Kryeministër në botë që pretendon se djegësi i Tiranës është një kompani e Zoto-Mërtirit dhe që të dy janë me mandat arresti dhe në kërkim, paguhen çdo ditë 90 mijë euro, paguhen mbi 2 milionë euro në muaj, kjo ndodh vetëm se është sipërmarrja e tij.

Kur vjen puna, ai ka bërë ligjin e konfiskimit, autorizon veten e tij për të konfiskuar, që nuk ndodh as në diktatura.

Por kur është puna, atë ligj e ka për të tjerët, jo për sipërmarrjen e vet. Sipërmarrja e vet vazhdon të furnizohet dhe paguhet në kundërshtim me ligjin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe Edi Ramës t’i shtohen kontot bashkë me Erion Veliajn.

Nuk ka firmosur rastësisht Niko aty, është i zhytur edhe ai në pleh. Do dalin edhe dokumentet për zhytjen e tij. Do të shihni ju se si këta anëtarë të organizatës kriminale, kanë shkelmuar çdo interes të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Berisha foli edhe për negociata me grupin “Bardhi” duke bërë edhe njëherë dallimin me deputetët që mbështesin Lulzim Bashën.

“Unë shpresoj se me grupin tjetër, ne do gjejmë mirëkuptim të plotë.

Sepse ata, siç e kam theksuar, kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe parimor ndaj primareve.

Ky qëndrim është qëndrim ndaj një parimi themelor të PD. Kurse me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranojë Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranojë pengun e tij.

Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar.

Nuk mund të ketë. Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë