Arsim

Qeveria miraton kredinë studentore, ata të programeve prioritare më të favorizuar

Nga Gazeta Si- Qeveria ka miratuar sot kredinë studentore. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha pas mbledhjes së qeverisë se të gjithë studentët që kanë shtetësi shqiptare dhe banojnë në Shqipëri kanë të drejtë të aplikojnë për kredi studentore, për të mbuluar shpenzimet e tarifave dhe kostove të jetesës gjatë studimeve.

Institucioni që do të jetë përgjegjës për të negociuar me bankat e nivelit të dytë do të jetë agjencia kombëtare për financimin e arsimit të lartë.

Kredia studentore do të jepet pa kolateral fizik dhe financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, pas konfirmimit nga IAL që studenti ka shlyer tarifën e vitit dhe ka frekuentuar procesin mësimor.

Gjithashtu, Kushi tha se shlyerja e kredisë nis jo më herët se 3 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për studimet e ciklit të parë, jo më herët se 2 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për programe studimi cikli i dytë dhe e treta, jo më herët se 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë.

“Norma e interesit të kredisë do të jetë e pandryshueshme, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë”, tha Kushi ndërsa shtoi se studentët që do të përfitojnë kredi studentore nuk duhet të jenë përfitues nga politikat e mëparshme si bursë apo përjashtim nga tarifat.

Studentët përfitues do të përzgjidhen bazuar në disa prioritete, si vlera e kredisë ku sipas Kushit, sa më e ulët të jetë kredia, aq më shumë gjasa ka që të pranohet. Gjithashtu, programet prioritare kanë përparësi dhe studentët që do ndjekin studimet në programet prioritare do jenë më të favorizuar dhe së fundmi, studentët me rezultate më të mira gjithashtu do të kenë më shumë mundësi që tu pranohet kërkesa për kredi studentore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë