Gazeta Si – Në futboll nuk fiton gjithmonë skuadra më e mirë. Bate Borisov nuk ishte skuadër më e mirë se Partizani, përkundrazi ishte inferiore, por ka arritur të kualifikohet në turin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, falë fitores 2-0 në Hungari. Një javë më parë këto dy skuadra barazuan 1-1 në ‘Air Albania’.
Bjellorusët, duke ditur kapacitetet e tyre, luajtën shumë thjeshtë, u mbrojtën fort dhe goditën në momentin e parë të rrezikshëm. Partizani pati epërsi territoriale, bënte çdo gjë mirë deri në 20 metrat e fundit dhe më pas gabonte. Dobësi në finalizim për të kuqtë, që tashmë e shohin veten jashtë Championsit.

Pjesa e parë ishte e gjitha e dominuar nga Partizani. Mba nuk ia doli të shënonte dhe as Murataj. Bjellorusët menduan vetëm për mbrojtjen. Edhe në pjesën e dytë rrjedha e lojës ishte e njëjtë, me kampionët e Shqipërisë në gjysmëfushën e Bates, por pa efikasitet në sulmet e tyre.
Kur kishin mbetur 20 minuta lojë, me një aksion të shpejtë nga e majta, Bate kaloi në avantazh. Mbrojtja e kuqe ishte e pavendosur dhe Malkeviç, i cili shënoi me kokë, ishte krejtësisht i zbuluar në momentin e golit.
Partizani kishte shansin të barazonte menjëherë me Hadrojin, që u gjend i lirë në zonë, por goditi jashtë kuadratit. Trajneri Zekiç ndërhyri nga stoli, duke hedhur në fushë Grezdën, Mensah, Maget, Bilalin dhe Kekon, por asgjë nuk ndryshoi. Partizani u godit edhe psikologjikisht dhe nuk kishte qartësi. Sota humbi një rast të mirë, ndërsa Sembene gaboi në mënyrë të pabesueshme pranë portës.
As 10 minutat shtesë nuk e ndihmuan Partizanin të gjente golin e barazimit. Në aksionin e fundit të ndeshjes bjellorusët dyfishuan me një kundërslm dhe më pas festuan kualifikimin. Partizani i kishte të gjitha mundësitë të kalonte më tej, por nuk bëri lojën që duhej, nuk gjeti strategjinë fituese. Disa lojtarë ishin jashtë forme, ndërsa trajneri Zekiç ka pa dyshim përgjegjësitë e veta.
Partizani mbyll llogaritë me Championsin dhe kalon në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të ndeshet me Eskalades të Andorrës, një kundërshtar mjaft modest.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



