Futboll

FSHF zyrtarizon skemën e re të kampionatit, ‘Final 4’ për ekipin kampion

Gazeta Si – Skema e kampionatit elitar të futbollit shqiptar ka ndryshuar zyrtarisht, duke nisur nga sezoni i ri. Vendimi është marrë sot nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, pas diskutimeve dhe konsultave të mëparshme me drejtuesit e klubeve të Superiores.

Ky ndryshim është argumentuar me synimin për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve, por edhe më shumë të ardhura për klubet.

Skema e re parashikon një kampionat me 4 faza dhe në përfundim të javës së 36-të, ekipet e renditura në 4 vendet e para përballen në një fazë play-off-i, që quhet “Final 4”, duke shtuar edhe 3 javë të tjera. Secila skuadër përballet me 3 të tjerat në një ndeshje. Ekipi fitues shpallet ai që grumbullon më shumë pikë në 3 ndeshjet e kësaj faze. Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё dhe ndeshjet do të luhen në “Air Albania”.

Nga nje prej takimeve ne FSHF ku u diskutua per skemen e re. Gazeta Si, 18 korrik 2023

Ky variant ishte edhe më i diskutuari, ndërkohë që u kontestua nga Vllaznia, duke qenë se ndeshjet e ‘Final 4’ zhvillohen në kryeqytet. Por tani skema e re është miratuar zyrtarisht.

Rregullat e klasifikimit

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e tyre do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ekipi fitues i play-off “Final 4” do të shpallet kampion i “Abissnet Superiore” dhe do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa 2 ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në UEFA Conference League.

Në rastet kur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë është i renditur në 3 vendet e para të play-off “Final 4”, e drejta për të marrë pjesë në UEFA Conference League do t’i takojë vendit të 4-t të renditur në play-off “Final 4”.

Sa i përket fundit të renditjes nuk ka ndryshime, teksa vendi i 9-të dhe i 10-të bien automatikisht në Kategorinë e Parë, kurse skuadra e vendit të 8-të do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off të Kategorisë së Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë