Drejtësia

Çështja ‘Ahmetaj’, SPAK: Sekuestruam 4 apartamente dhe 2 llogari bankare me vlerë 124 mijë euro, në 7 banesa u gjetën dokumente me interes  

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, doli në një njoftim për shtyp rreth aksionit të saj për kontrollin e banesave ndaj 7 banesave të të afërme të Arben Ahmetajt  

“Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.07.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap – top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro)”, thuhet në njoftimin për shtyp të SPAK.

Ahmetaj ndodhet në arrati, ndërsa të enjten e shkuar iu hoq imuniteti pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar.

Kuvendi miratoi me 117 vota pro kërkesën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që i hap rrugën arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-zv.kryeministrit.

Avokati i Arben Ahmetajt, Henrik Ligori zbuloi për mediat se klienti i tij aktualisht ndodhet në Angli, ku po qëndron pranë familjes së tij.

Në lidhje me pyetjen a do të kthehet, ish-zv.kryeministri për t’u përballur me drejtësinë, Ligori u shpreh se Ahmetaj do të vijë në Shqipëri kur të ketë lirinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë