Nga Gazeta Si- Serbia po përpiqet që tensionet e fundit në veri të Kosovës t’i ngrejë si çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke injoruar kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes një dialogu të udhëhequr nga BE-ja, Serbia filloi të koordinohej me Rusinë dhe Kinën për të avancuar planin për një takim të Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Për pasojë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka zhvilluar takime me ambasadorin rus dhe kinez në Serbi, me pretendimin se serbët në Kosovë po keqtrajtohen.
“E informova ambasadorin Chen Bo në detaje për rrezikun e serbëve në Kosovë dhe për situatën delikate të sigurisë që ndikon në stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha ai.
“Theksova nevojën e mbajtjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mënyrë që i gjithë opinioni botëror të mësojë për tensionet në Kosovë dhe situatën e vështirë të serbëve”, ka shkruar Vuçiç në Instagram për takimin me ambasadoren kineze.
Vuçiç po i shmanget marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe po kërkon zgjidhje duke bashkëpunuar me Kinën dhe Rusinë në përpjekje që të bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Falënderova Republikën Popullore të Kinës për pozicionin e saj të qartë dhe të qëndrueshëm për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për mbështetjen e përpjekjeve të Serbisë për të ruajtur integritetin territorial dhe sovranitetin”, ka shkruar Vuçiç duke theksuar përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet midis Kinës dhe Serbisë.
Në të njëjtën ditë presidenti serb pati edhe një takim me ambasadorin e Rusisë, Bocan Harçenko.
“E informova ambasadorin e Federatës Ruse, Bocan Harchenko, për dhunën politike, juridike dhe fizike që Prishtina po ushtron ndaj serbëve në Kosovë dhe se Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Është pikërisht për këtë arsye që Republika e Serbisë do të kërkojë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të informuar të gjithë publikun botëror për përpjekjet për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Vuçiç.
Institucionet e Bashkimit Europian shpesh kanë shprehur shqetësimin për një lidhje të tillë mes këtyre dy vendeve.
Në vitin 2022, Parlamenti Evropian kishte përsëritur shqetësimet e tij për varësinë në rritje të Serbisë nga investimet kineze dhe vëllimi i kredive, dhe u bëri thirrje autoriteteve serbe të përmirësojnë transparencën dhe të forcojnë përputhjen ligjore me investimet kineze dhe regjimet e huaja autoritare. Serbia, si në këtë rast, sipas Geopost, ka qenë vazhdimisht më afër vendeve lindore sesa perëndimore në formësimin e politikave të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




