Arsim

Ulet numri i nxënësve në klasa, shkollat me mbi 800 nxënës do të kenë 3 nëndrejtorë

Nga Gazeta Si- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka nënshkruar udhëzimin e ri për numrin e nxënësve për klasë dhe shtimin e nëndrejtorëve.

Sipas udhëzimit të ri numri mesatar i nxënësve për klasë ulet nga 35 në 30 për të gjithë sistemin parauniversitar.

Gjithashtu, shkollat që kanë mbi 800 nxënës do të kenë tre nëndrejtorë, ndërkohë që ky numër më parë ka qenë mbi 900 nxënës. Ndërsa të gjitha shkollat e arsimit special për nxënësit me aftësi ndryshe, për herë të parë do të kenë edhe nëndrejtor, pavarësisht numrit të nxënësve. Kur numri i nxënësve kalon mbi 130, atëherë shkolla do të ketë dy nëndrejtorë.

Edhe për shkollat e arsimit të orientuar do të rritet numri i nëndrejtorëve, me qëllim menaxhimin më efektiv por dhe organizimin e aktiviteteve dhe programeve jashtë kurrikulare.

Me këtë udhëzim është ulur edhe numri i nxënësve për klasë, duke lehtësuar edhe mësuesit në procesin e mësimdhënies. Kështu, për të krijuar dy klasa numri i nxënësve ulet nga 25 në 20.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë