Sport

Çmenduri nga një tifoz në Tour de France, për një foto rrëzon gjithë çiklistët

Gazeta Si – Një etapë e re dhe një rrëzim i ri në Tour de France. Në kilometrin 124 të programit të sotëm, turma e madhe e çiklistëve u godit nga një rrëzim i shumëfishtë.

E gjitha për faj të një tifozi, që provokoi rrëzimin gjigant për një foto, duke kaluar kufirin e lejuar. I pari që u rrëzua ishte Sepp Kuss i Jumbo Visma, pas tij shumë të tjerë njëri pas tjetrit.

U rrëzuan të paktën 20 çiklistë, mes të cilëve edhe Egan Bernal, fitues në 2019-ën. Pas një momenti ankthi, kolumbiani, ashtu si kolegët e tjerë, u rinis rregullisht. Incidenti nuk pati pasoja të rënda, por ajo që ndodhi ishte një çmenduri.

Organizatorët e Tour de France, nëpërmjet rrjeteve sociale, u kanë tërhequr vëmendjen tifozëve të pranishëm nëpër rrugë që të kenë më shumë kujdes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë