Gazeta Si – Sezoni i ardhshëm mund ta gjejë Keidi Baren me skuadër të re. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka edhe një vit kontratë me Espanjolin, që e ka nxjerrë në shitje, duke mos dashur ta humbasë me parametra zero verën e ardhshme.
Sipas shtypit spanjoll, futbollisti 25-vjeçar është i rëndësishëm për klubin katalanas, por njëkohësisht edhe një mundësi për të fituar financiarisht. Nëse për Baren do të vijë një ofertë e mirë, Espanjoli është gati ta shesë në këtë moment, kur ka nevojë të sigurojë të ardhura.

Bare e ka të lidhur ngushtë karrierën me Spanjën dhe, edhe nëse largohet nga Espanjoli, gjasat më të mëdha janë që të luajë po në futbollin spanjoll. Më parë ai ka veshur fanellat e Atletiko Madridit dhe Malagës, ndërkohë që disa dëmtime nuk e kanë lejuar të tregojë gjithë potencialin e tij.
Mesfushori fierak është një nga titullarët e rëndësishëm të Kombëtares dhe trajneri Silvinjo dëshiron që ai të ketë sa më shumë aktivizim. Tani mbetet të shihet, nëse për Baren do të ketë një stacion të ri, apo ai do të qëndrojë tek Espanjoli. Gjithçka varet nga ofertat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



