Rend dhe Ligj

Atentati ndaj Gentian Bejtjes, Valter Bami mohon autorësinë në polici. Dyshime për gjurmë baruti në dorë

Gazeta Si Pas arrestimit mbrëmjen e të enjtes, Valter Bami ka mohuar në polici, që të jetë pjesëmarrës në atentatin ndaj Gentian Bejtjes, ku humbi jetën kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e mitur.

Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi. Mirëpo, burime nga policia bëjnë me dije se sipas veprimeve hetimore, 37-vjeçari ka qëlluar me armë atë natë.

LEXO EDHE:
– Hetimet për atentatin ndaj Gentian Bejtjes, lirohen 3 të shoqëruarit. Objektivi nuk gjendet!
– I bëjnë atentat për herë të tretë Gentian Bejtjas në Krujë. I vrasin kunatin dhe i plagosin dy djemtë! Shoqërohen tre të fortët e Niklës (foto)

Evidentimi i shenjave të barutit i bërë në mikroskop elektronik, ka qenë vendimtar për nxjerrjen e urdhër-arrestit për Bamin.

Gentian Bejtja dhe arrestimi i Bamit nga policia

Gjurma e barutit i është gjetur tek kyçi i dorës. Bami ka patur doreza dhe pjesa e gishtave dhe pëllëmbës ka dalë e pastër. Deri më tani, ka vetëm një akuzë ndaj tij, atë të “armëmbajtjes pa leje”.

Bashkë me të u shoqëruan në polici edhe dy persona të tjerë, të cilët ndodheshin në shoqërinë e Bamit. Pasi janë marrë në pyetje, ata pritet të lirohen pasi nuk janë ngritur akuza ndaj tyre.

Nën arrest për armëmbajtje pa leje

Të enjten në mbrëmje, Valter Bami lokalizua dhe më pas u kap nga efektivët e policisë, rreth orës 20:30 të së enjtes, në fshatin Greps, të Niklës, për t’u shoqëruar drejt Tiranës.

Valter Bami, sipas policisë është ndaluar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në vijim të hetimeve për ngjarjen e datës 3 korrik në fshatin Larushk të Krujës, ku në oborrin e banesës së Gentjan Bejtjas u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë u vra kunati i tij Ramazan Sino.

Për herë të parë, Bami u shoqërua rreth orës 04:00 të 3 korrikut. Atij iu mor deklarimi për këtë ngjarje dhe më pas u la i lirë.

Ndërsa këtë të enjte, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë janë gjetur sipas policisë faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri, që do të thotë mbetje të barutit. Ndaj në bazë të ekspertizës, Prokuroria lëshoi edhe urdhrin e ndalimit.

RENEA dhe FNSH kontrolle në Nikël dhe Tapizë

RENEA dhe FNSH-ja kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në zonën e Tapizës dhe Niklës, në lidhje me hetimet për atentatin në Larushk ku humbi jetën Ramazan Sino dhe u plagosen 2 fëmijët e Gentian Bejtjas.

Burimet bëjnë me dije se në zonë kanë qenë më 2 furgonë të FNSH dhe 2 të RENEA. Sipas informacioneve paraprake janë shoqëruar disa persona.

Aksioni ka nisur rreth orës 6 të mëngjesit. Në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë te enjten mbrëma u arrestua Valter Bami, të cilit i janë gjetur gjurmë baruti në duar, por ai ka mohuar të ketë lidhje me atentatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë