Nga Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka thënë pas mbledhjes së qeverisë se studentët e mjekësisë të cilët përfundojnë studimet do u duhen 5 vite që të marrin diplomën pas përfundimit të studimeve dhe marrëveshja midis studentëve dhe Ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Shëndetësisë para nisjes së vitit akademik do të jetë formati i ri i Universitetit të Mjekësisë.
“Ky nuk është kusht që pranohet ose jo, por kështu do të jetë formati i Universitetit të Mjekësisë. Rregull absolut për të gjithë. Ata që tashmë e kanë filluar universitetin më herët do të kenë kushtin që të punojnë në Shqipëri për disa vite, por vetëm nëse pranojnë. Ndryshe do të paguajnë tarifën e plotë. Tarifa do të përcaktohet më vonë”, tha Rama.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi shpjegoi se si do të funksionojë kjo marrëveshje midis studentëve dhe dy ministrive.
Studentët e vitit të parë nuk kanë të drejtë të zgjedhin asgjë tjetër përveç se të firmosin qëndrimin në vend për 5 vite pas përfundimit të studimeve.
Ndërsa studentët që janë në vit të dytë, tretë dhe vit të katër do të zgjedhin midis qëndrimit në vend për 3 vite apo tarifës së plotë për vitet në vijim. Ndërsa studentët e vitit të pestë dhe vitit të gjashtë do zgjedhin midis tarifës së plotë dhe qëndrimit në vend për 2 vite.
Rama tha se “Ne e kemi të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap që është hapi më normal dhe më i lehtë i mundshëm. Çdo student i mjekësisë do të duhet të njihet me faktin se do të qëndrojnë në Shqipëri edhe për 5 vite pasi të mbarojnë studimet”.
Ndërkohë, Kushi tha se nëse në 1 vit nuk arrihet marrëveshja për punësim, studentët do të lirohen nga marrëveshja.
“Nuk ka gjasa që të ndodhë diçka e tillë por nëse një mjek nuk arrin të punësohet për 1 vit, do të lirohet nga marrëveshja”, tha Kushi duke shtuar se ky vendim do të prezantohet me procedurë të përshpejtuar në parlament për shkak të emergjencës.
“Duhet ta miratojmë brenda korrikut”.
Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë nga ana tjetër tha se kjo është një paketë mbështetje dhe studentëve nuk po u hiqet asnjë e drejtë.
E pyetur se çfarë ndodh nëse një student prish marrëveshjen, Manastirliu tha se marrëveshja që do të diskutohet në komision, do të ketë fuqi ligjore që do të parashikojë çfarë ndodh kur marrëveshja nuk zbatohet.
Menjëherë pas njoftimit, studentët e mjekësisë kanë paralajmëruar se ditën e nesërme (6 korrik), në orën 11:00 do të protestojnë para rektoratit të Universitetit të Mjekësisë dhe më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Kjo është protesta e tretë e studentëve të mjekësisë që protestojnë kundër vendimit për t’i mbajtur në vend 5 vite pas përfundimit të studimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



