Ka ndodhur

Ekstradohen nga Greqia, Gjermania, Italia e Spanja 4 shqiptarë të shpallur në kërkim

4 shqiptarë janë ekstraduar nga Greqia, Gjermania, Italia e Spanja në Shqipëri pasi këta të fundit ishin në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, Enver Hysa, 58 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në vitin 2016, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre;

Nga Gjermania drejt Shqipërisë, është ekstraduar shqiptarja e Kosovës Emine Murriqi, të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave’’, pasi në vitin 2016, në PKK Port Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin, duke përdoruar dokumente të falsifikuara;

Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, Adil Dema, 29 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", pasi në vitin 2022, në aksin rrugor Shupenzë - ura e Topojanit, është përfshirë në një konflikt me armë zjarri, me një shtetas tjetër;

Ndërsa nga Spanja drejt Shqipërisë është ekstraduar Fatbardh Doda (Dervishi), 33 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë në kushtet e tronditjes së fortë psikike" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", pasi në vitin 2022, në ambientet e një hoteli, në Durrës, ka plagosur rëndë me armë zjarri, të dashurën e tij.   

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Spanjës, Gjolekë Pazaj. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, Spanjë, pasi Gjykata Qendrore në Madrid, me vendimin e datës 01.02.2023, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Ai dyshohet se në vitin 2020, në Spanjë, ka qenë pjesë e një grupi kriminal dhe ka kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, në ambiente të mbyllura, duke vjedhur energjinë elektrike.

4 personat e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë