Mjedis

Zelanda e Re bëhet vendi i parë në botë që ndalon qeset plastike për prodhime të freskëta në supermarkete

Zelanda e Re është bërë vendi i parë në botë që zgjeron ndalimin e qeseve plastike në supermarkete, duke ndaluar qeset e holla të cilat zakonisht përdoren për të mbajtur fruta ose perime.

Masa, e cila hyri në fuqi të shtunën, është pjesë e një fushate më të gjerë të qeverisë kundër plastikës njëpërdorimshe.

“Zelanda e Re prodhon shumë mbeturina plastike”, thotë Ministrja e Mjedisit, Rachel Brooking.

Ajo shtoi se më shumë se një miliard qese plastike ishin kursyer që kur ndalimi i qeseve më të trasha hyri në fuqi në 2019.

Masa e re pritet të parandalojë përdorimin e 150 milionë qeseve plastike në vit.

Kritikët kanë ngritur shqetësime se blerësit mund të vendosin sende ushqimore në qese letre, të cilat janë ende të disponueshme në supermarkete.

“Ia vlen ta bëjmë këtë ndalim por duhet të reduktohet paketimi me cdo produkt të mundshëm. Ne duam që njerëzit të marrin çantat e tyre kur shkojnë në supermarkete”, tha Brooking.

Zinxhiri i supermarketeve Countdoën, i cili operon më shumë se 185 dyqane në të gjithë vendin, ka filluar të shesë çanta rrjetë të ripërdorshme.

Kompania shpreson se kjo do t’i inkurajojë blerësit të përdorin çanta të ripërdorshme për fruta dhe perime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë