Kosova

Zgjedhjet në veri të Kosovës/ S’ka ligj për referendum, kryetarët mund të shkarkohen vetëm me peticion

Njohës të proceseve politike në Kosovë vlerësojnë se Ligji për vetëqeverisje lokale parashikon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.

Sipas tyre, ligji parashikon mundësinë që të paktën 20 për qind e votuesve përmes një organizimi të një peticioni mund të kërkojnë largimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Ata thonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk mund të krijojë rregullore për referendumin klasik pasi për të njëjtin nuk ka një ligj i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Por ata thotë se KQZ-ja mund të hartojë rregullore për t’i qartësuar rregullat se si mund të mbahet peticioni duke u bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Profesor Mazllum Baraliu tha se Kushtetuta e parashikon mundësinë e mbajtjes së referendumit, por sipas tij, Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë duhet që të ketë një ligj që duhet të kalojë në Kuvend.

“Është e parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës mundësia e mbajtjes së referendumit dhe realizimit të drejtës së referendumit të qytetarëve që është forma më demokratike, më e drejtpërdrejtë dhe më masovike e vendimmarrje qytetare. Mirëpo Kushtetuta thotë që për të realizuar këtë të drejtë duhet që Kuvendi i Republikës të nxjerr një ligj për referendumin. Kjo nuk ka ndodhur ende dhe pa ligj për referendum, nuk mund të ketë rregullore për referendum”, tha ai.

Baraliu:KQZ nuk mund të krijojë rregullore për referendumin klasik pasi për të njëjtin nuk ka një ligj i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës

Sipas profesorit, pas kërkesave të BE-së dhe ShBA-së që zgjedhjet në veriun e vendit  duhet që të mbahen, ato mund të organizohen në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parashikon që të paktën 20 për qind e votuesve mund të vendosin për një peticion i cili kërkon dorëheqjen e kryetarëve.

“Përveç dorëheqjes që mund të japin ose shkarkimit të kryetareve të komunave, nëse kjo nuk realizohet ligji e parashikon edhe një mundësi që të paktën 20 për qind e votuesve, në këtë rast të atyre katër komunave atje, nëse e bëjnë një peticion të cilin ja drejtojnë kryetarëve të komunave përkatëse, atëherë ata vendosin për atë peticion dhe duhet të ketë 50 për qind të qytetare që e miratojnë atë kërkese dhe mund të realizohen zgjedhjet e parakohshëm dhe të jashtëzakonshme në ato katër komuna”, tha ai.

Ai tha se kjo metodë kërkon më shumë kohë, por sipas tij, KQZ-ja duhet që të ketë një rregullore e cila e rregullon këtë çështje pasi deri më tani nuk ka pasur rast që të veprojë në bazë të këtij ligji.

Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se Ligji për vetëqeverisje lokale e përcakton mbajtjen e zgjedhjeve në dy forma, ku njërën prej tyre e emëron edhe si referendum, por që nuk është referendum klasik.

Sipas tij, për t’u realizuar në praktikë një “referendum” i tillë sipas këtij ligji, kërkohet që KQZ-ja të miratojë edhe një rregullore në mënyrë që të përcaktojë se si mund të realizohen në praktikë këto dy dispozita.

“Ligji për vetëqeverisje lokale përcakton dy forma nëse mundemi me i quajtur referendum, njërën prej tyre e emërton pikërisht si të tillë. Rasti i parë është për rregulloret e Kuvendit Komunal që mund të kërkohet referendumi për një rregullore të miratuar nga ana e Kuvendit Komunal”.

“Në anën tjetër ligji për vetëqeverisje lokale ka përcaktuar edhe rregullat që kanë të bëjnë me largimin e kryetarëve të komunave që iniciohet prej 20 për qind të votuesve të regjistruara dhe më pastaj për tu larguar kryetari kërkohet të paktën gjysma e votuesve të regjistruara. Në kuptim të këtyre dy dispozitave për tu realizuar në praktikë një referendum kërkohet edhe që të miratohet edhe një rregullore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë që të përcaktoj se praktikisht si realizohen këto dy dispozita”, tha ai.

Shala sa i përket referendumit, i cili bazohet në ligje dhe Kushtetutë, tha se KQZ-ja nuk mund që të hartojë rregullore për të. Sipas tij, KQZ është mirë që t’i miratojë një rregullore për mënyrën e zbatimit të  dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë