Motosport

Maks Vershtapen një ‘kanibal’ në pistë, fiton garën Sprint të Austrisë

Gazeta Si – Maks Vershtapen ka triumfuar në garën Sprint të Çmimit të Madh të Austrisë, duke regjistruar kështu suksesin e 5-të radhazi në F.1. Kampioni i botës vazhdon të dominojë bindshëm Botërorin 2023.

Holandezi i Red Bull-it fitoi duelin e nisjes me shokun e skuadrës Serxho Perez, që startoi përkrah tij. Ai komandoi garën dhe shkoi i pari në finish, nën shiun e Spielberg. Në pod, përveç tij dhe meksikanit, edhe Karlos Sainz, autor i një gare shumë të mirë.

Ditë e komplikuar për Sharl Leklerk, që pas kohës së 6-të më të mirë në kualifikuese dhe penalizimit me 3 pozicione, e mbylli garën në vend të 12-të.

Për ‘kanibalin’ e kampionatit, Maks Vershtapen, ishte fitorja e parë sezonale në një garë sprint, që u vendos praktikisht në nisje. Për 2 herë kampionin e botës ishte vetëm çështje administrimi e garës deri në flamurin me kuadrate.

Kanë marrë pikë dy makinat Aston Martin, me Stroll dhe Alonso. Ljuis Hemilton e mbylli garën në vend të 10-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë