Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shfaqur skeptik ndaj idesë së paraqitur nga kryeministri, Edi Rama, për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë dhe zbatimin e planit franko-gjerman.
Kurti tha se në vend të kësaj ideje, thjesht duhet zbatuar marrëveshja bazike në tërësi.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, tha Kurti para gazetarëve gjatë ditës në Prizren.
Kryeministri Edi Rama kërkoi që Macron e Scholz të organizojnë një konferencë me takim Vuçiç e Kurtin derisa të zbatojnë planin franko-gjerman.
“Është e domosdoshme që Macon dhe Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë, që mbeti pa u firmosur por që palët thonë se janë dakordësuar… Dy liderët bashkë me këdo qoftë tjetër rreth tyre të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë. Në një konferencë normalizimi pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi” është shprehur Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




