Teknologji dhe Inovacion

Kompanitë europiane kundër rregullores së BE për inteligjencën artificiale: Investitorët mund të tërhiqen

Drejtues nga 150 biznese, duke përfshirë Siemens dhe Heineken, theksojnë rreziqet e rregullimit të rreptë

Dhjetra kompani të mëdha europiane duke përfshirë Siemens të Gjermanisë dhe Airbus të Francës, janë shprehur kundër rregullores së propozuar të inteligjencës artificiale(AI) të BE-së, duke thënë se rregullat rrezikojnë të dëmtojnë konkurrencën.

Kompanitë, në një letër të hapur të nënshkruar nga më shumë se 150 drejtues, u thanë institucioneve europiane se AI ofronte “mundësinë për t’iu bashkuar avangardës teknologjike”, por rregullimi që ishte shumë i ashpër mund ta mbyste këtë mundësi.

“Në vlerësimin tonë, projektligji do të rrezikonte konkurrencën dhe sovranitetin teknologjik të Europës pa trajtuar në mënyrë efektive sfidat me të cilat jemi dhe do të përballemi,” thuhej në letrën, dërguar të premten, 30 qershor, Komisionit Europian, parlamentit dhe vendeve anëtare.

Politikanët e BE-së, pas gati dy vitesh grindje, kohët e fundit ranë dakord për grupin më të ashpër të rregullave për AI në botë.

Draft teksti i Aktit të Inteligjencës Artificiale do të shërbejë si pozicion negociues midis shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian

Frika ndërkohë po rritet mbi rreziqet e mundshme të teknologjisë me zhvillim të shpejtë, me kërkesat për rregullim në rritje që nga nëntori kur OpenAI lançoi chatbot-in e tij ChatGPT, një nga aplikacionet e para gjerësisht të disponueshme për AI për konsumatorët.

Nënshkruesit, duke filluar nga prodhuesi i makinave Renault tek prodhuesi i dytë më i madh i birrës në botë, Heineken, thanë se shqetësimet e tyre ishin veçanërisht të mprehta për AI gjeneruese.

Rregullat e propozuara do të rregullonin “rëndësisht” modelet e themeleve, e cila është teknologjia që mbështet chatbot-et, “pavarësisht rasteve të përdorimit të tyre”, shtuan ata.

Kompanitë që zhvillojnë dhe zbatojnë sisteme të tilla do të përballen me kosto joproporcionale të pajtueshmërisë dhe rreziqe të përgjegjësisë, thuhej në letër.

Kufizime të tilla mund të çojnë në largimin e kompanive nga blloku, tërheqjen e investitorëve nga zhvillimi i AI në Europë dhe krijimin e një “hendeku kritik produktiviteti” krahasuar me SHBA-në.

“Europa nuk mund të përballojë të qëndrojë mënjanë”, thuhej në letër.

 Në vend që të përqendrojnë ligjin në AI gjeneruese dhe të zbatojnë “përputhshmëri të ngurtë”, rregullatorët në Bruksel duhet të prodhojnë një ligj që kufizohet në “parime të gjera në një qasje të bazuar në rrezik”.

Rregullat rrezikojnë të minojnë ambiciet teknologjike të bllokut në vend që të ushqejnë inovacionin, thuhej në letër.

Kompanitë kërkuan që BE të ngrejë një organ rregullator ekspertësh të industrisë për të monitoruar zbatimin e ligjit ndërsa teknologjia përparon.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë