Gazeta Si – Miqësore luksi në aksin Pogradec-Ohër, ku skuadrat më të mira shqiptare janë përballur me njëra-tjetrën. Në stadiumin e Pogradecit u ndeshën Partizani kampion i Shqipërisë dhe Struga kampione e Maqedonisë së Veriut, kurse në Ohër Ballkani kampion i Kosovës u përball me Tiranën.
Trajneri Zekiç ka debutuar me fitore në stolin e Partizanit. Skuadra e tij fitoi 1-0 ndaj Strugës që drejtohet nga Shpëtim Duro, me gol të shënuar nga Mensah. Ishte një test i rëndësishëm për të kuqtë, të cilët po përgatiten për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj bjellorusëve të Bate Borisov. Debutoi me Partizanin edhe Eros Grezda, ish-lojtari i Kombëtares.

Në anën tjetër të Liqenit të Ohrit, Ballkani i Ilir Dajës mundi 3-1 Tiranën. Për kampionët e Kosovës shënuan Tusha, Rrahmani dhe Berisha. Golin e vetëm për Tiranën e shënoi braziliani Kaina, një nga afrimet e merkatos së verës.
Trajneri Orges Shehi ka marrë sinjale për atë çfarë duhet të rregullojë në skuadër. Ilir Daja në anën tjetër ka një skuadër më të konsoliduar dhe synon që të përsërisë seksesin e sezonit të kaluar, kur shkoi deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




