Nga Gazeta Si – Qeveria ka miratuar sot vendimin për të dhënë një bursë sa paga minimale mujore për studentët që do të zgjedhin degë si mësuesia, bujqësia apo turizmi dhe ka hequr edhe kushtin që nxënësit të kenë dhe të ruajnë mesataren 8.5 gjatë viteve të studimit.
“Ne kemi vendosur të heqim kriterin 8.5 të mesatares, për të gjithë ata që përfitojnë bursa duke ndjekur këto programe studimi. Që do të thotë, bursën mund ta marrë edhe një maturant që mund ta ketë mesataren më të ulët por gjithmonë duke plotësuar ato kriteret siç i kanë të gjithë studentët”, tha Kushi.
Ndërkohë është hequr gjithashtu edhe kriteri që duhet ta ruajë mesataren përgjatë studimeve. Në VKM-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesataren që kanë nga shkolla e mesme. Ndërkohë që tani, edhe nëse një student vitin e parë mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë.
Por Kushi deklaroi se studentët që do të marrin bursë gjatë studimeve do të duhet të punojnë në Shqipëri për të paktën 3 vite pas diplomimit.
“Detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë 3 vite, të japin kontribut për vendin”, tha Kushi.
E pyetur për draftin për studentët e mjekësisë për të firmosur një kontratë që të qëndrojnë në Shqipëri për 3 vite ose të paguajnë tarifë ekstra, Kushi tha se ky draft është në fazë diskutimi.
“Ne kemi nisur proces konsultimi sepse jemi përballë një rreziku që pas disa vitesh mund të mos i plotësojmë dot vendet për mjekë. Ky s’është fenomen vetëm Shqiptarë por i gjithë rajonit por edhe në vetë vendet e BE-së. Ne, si qeveri kemi përgjegjësinë që t’i parandalojmë këto problematika, pra duhet t’i paraprijmë”, tha Kushi e cila shtoi se konsultimet do të vazhdojnë edhe më gjerë, sepse s’është vetëm vendim i studentëve të mjekësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



