Gazeta Si – Liri sporti, liri dopingu! Mund të jetë ky sllogani i një ideje të çmendur që vjen nga një sipërmarrës australian, i cili kërkon të organizojë Olimpiadën e sportistëve që përdorin doping. Aron D’Souza, president i ‘Enhanced Games’, ka në plan të mbështesë legjitimitetin e substancave që përdoren për përmirësimin e paraqitjes së sportistëve.
Janë 5 disiplinat e edicionit të parë që duhet të zhvillohet në dhjetor të 2024-ës: atletikë, not, peshëngritje, gjimnastikë dhe sportet luftarake.
“Modeli i Olimpiadave është prishur, – ka thënë D’Souza. – CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) është një shtet me një parti të vetme prej më shumë se 100 vitesh. Tani ka një parti opozitare, jemi gati për betejë”.
Ideatori i Olimpiadës së dopingut është i bindur se “sportistët janë të rritur dhe kanë të drejtën të bëjnë atë që duan me trupin e tyre: trupi im, zgjedhja ime; trupi yt, zgjedhja jote. Asnjë qeveri, asnjë federatë sportive nuk duhet të vendosë për sportistët, veçanërisht sa u takon produkteve të aprovuara nga ‘Food and Drugs’”.

Ka tashmë edhe një sit me një video që pretendon të tregojë “njeriun më të shpejtë të botës”. “Ka thyer rekordin e 100 metrave të Usain Bolt. Ka treguar potencialin e vërtetë atletik të trupit të tij, – shkruhet aty, – por bota nuk është gati për të. Olimpiadat e urrejnë, e kanë përjashtuar dhe ai do të hakmerret”. Siti fton tifozët “të shkojnë ta shohin në garë në Enhanced Games del 2024”.
Në sit ka edhe akuza për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për denigrim të “sportistëve të dopuar”, ndërkohë që listohen edhe rekordet botërore “të dopuar” që nuk njihen nga CIO.
Propozimi është shoqëruar me shumë kritika, përfshirë edhe ato të Komitetit Olimpik Australian, që e ka quajtur idenë “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”. “Nuk dimë asgjë për këtë organizim, por sporti duhet të jetë i pastër dhe i sigurt për të gjithë sportistët”, – ka deklaruar administratori i deleguar i AOC, Matt Carroll.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



