Gazeta Si – Janë identifikuar dhe u shpallën në kërkim tre personat që plagosën me armë zjarri 33-vjeçarin Tonin Ramaj (Hosaj) mesditën e së hënës brenda një lokali në Vlorë.
Policia tha se Ermal Haxhiraj alias Bashkim Brahimaj, Neritan Xhaferaj dhe Ermal Osmenaj, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të vrisnin duke qëlluar me armë zjarri të riun për motive të dobta.
33-vjeçari nga Vlora raportohet se ka mbetur i dëmtuar në gjymtyrët e poshtme të tij dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri dhe 1 fishek luftarak me kapsollë të padëmtuar, të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme.
Po ashtu, procedohet penalisht administratori i lokalit, shtetasi Katrin Limaj, ku ndodhi ngjarja, pasi u konstatua se në këtë ambient organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin. Policia shtoi se ka sekuestruar sende që i shërbenin organizimit të këtyre lojërave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



