Ka ndodhur

Tiranë, arrestohen drejtuesit e mjeteve që shkaktuan dy aksidente tragjike në fundjavë

Gazeta Si - Dy drejtuesit e mjeteve që shkaktuan dy aksidente të ndryshme me pasojë vdekjen në fundjavë në Tiranë, janë arrestuar këtë të hënë.

Në rastin e parë, policia thotë se  bëhet fjalë për aksidentit e datës 16 qershor në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ku një automjet u përplas me bordurën anësore e për pasojë humbi jetën 35-vjeçari V.Meshi, pasagjer në mjet.

Policia bën të ditur se ka arrestuar shoferin e mjetit, E.Hasanllari 34 vjeç. Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë që më pas solli edhe humbjen e kontrollit mbi mjetin dhe përplasjen me bordurën anësore.

Ndërsa në rastin e dytë, bëhet fjalë për aksidentin në afërsi të TEG-ut më datë 18 qershor, kur një motor përplasi për vdekje këmbësorin 82-vjeçar me iniciale E.K.

Policia njofton se ka arrestuar drejtuesin e motorit, K.L. 33 vjeç. 

Veç kalimit të palejuar në autostradë në errësirë, shkak për aksidentin dyshohet të jetë edhe shpejtësia që po lëvizte drejtuesi i motorit tip “Honda”.

Viktima banues në Tiranë, vuante nga sëmundja e alzhaimerit dhe rezultonte i humbur që një ditë para aksidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë