Ylli francez i kinemasë, Gerard Depardieu do të nxjerrë në shitje, në fund të shtatorit në Paris, 250 vepra nga koleksioni i tij i artit, me synimin për t’u argëtuar pak, sipas menaxherit të tij të shitjeve, David Nordmann, i cili mbulon edhe shitjet e shtëpisë së ankandeve “Ader”.
Koleksioni i pasur i aktorit francez, aktualisht nën hetim për sulme të dyshuara seksuale, përfshin vepra në bronz të Rodin, por edhe pesë vepra të Calder dhe një të Hans Hartung.
Ankandi u caktua për më 26-27 shtator në hotel “Drouot” në Paris.
Sipas ekspertëve, nga shitjet mund të sigurohen tre deri në pesë milionë euro.
Aktori Gerard Depardieu është akuzuar për sulme seksuale ose ngacmime nga 13 gra, sipas një hetimi.
Gratë pretendojnë se ylli i përqafoi, u futi duart në të brendshme dhe bëri komente të turpshme.
Incidentet dyshohet se kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në filma dhe televizione ose në vende publike.
Një avokat i Depardieu, 74 vjeç, tha se ai “mohon zyrtarisht të gjitha akuzat që mund të bien nën ligjin penal”.
Aktori i nominuar për Oscar dhe Bafta është i njohur për filmat duke përfshirë Jean de Florette, Green Card dhe Cyrano de Bergerac.
Akuzat vijnë dy vjet pasi ai u vu nën hetim penal për përdhunim, të cilin ai e ka mohuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.