Nga Gazeta Si- Në nëntor të vitit 2021, në Berat u raportua rasti skandaloz i rikthimit të Ëngjëll Bregut si mësues në shkollën 9-vjeçare të qytetit si mësues Fizike, pasi ishte dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual”.
Ishin prindërit e fëmijëve asokohe që të shqetësuar denoncuan rastin e rikthimit të tij si mësues.
Vetë nxënësit thanë se kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.
Në vitin 2013, disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskursioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.
Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.
Pasi lajmi i rikthimit të mësuesit ‘pedofil’ bëri një bujë të madhe në media, reagoi edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi e cila tha se 62-vjeçari Ëngjëll Bregu është shkarkuar menjëherë nga detyra dhe ka nisur hetim për personat që e kanë punësuar, me ose pa dijeni.
“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.
Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese”, deklaroi Kushi në 2021.
Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti thotë për Gazetasi.al se dhe në Skrapar dhe Mallakastër ka pasur raste kur mësues janë dënuar për vepra penale, kryesisht pedofili dhe ngacmim seksual.
“Ka pasur edhe raste kur mësuesit kanë dalë të pafajshëm por nuk janë integruar më në mësimdhënie sepse kanë qenë të paragjykuar prej publikut, sepse siç ndodh rëndom tek ne, kanë menduar se drejtësia ka qenë e blerë dhe ata e kanë marrë pafajësinë përmes ryshfetit”, thotë Mehmeti.

Sipas ekspertit, miratimi i një prej ndryshimeve në ligjin për arsimin parauniversitar(që u miratuan në Kuvend ditën e enjte) ka vend për interpretim dhe abuzim.
Bëhet fjalë për nenin që nuk i lejon mësuesit që janë të dënuar për vepra penale ndaj të miturve apo për krime seksuale që të ushtrojnë profesionin e tyre. Sipas ekspertit, ky nen ka mangësi që mund të përsërisë rastin e mësuesit në Berat, duke qenë se ministrja Kushi ka thënë në Komisionin e Edukimit se rastet do të merren nën shqyrtim në momentin që do të denoncohen nga persona që janë në dijeni të një shkelje.
“Së pari ky ligj i njeh të drejtën MAS të përcaktojë se kush janë veprat penale dhe këto janë atribute që nuk i takojnë MAS. Klasifikimi i veprave penale duhet të bëhej në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit etj”, thotë Mehmeti, duke treguar një tjetër ‘ngërç’ që ka ky ligj.
Gjithashtu, eksperti thotë se ajo që nuk përmendet në ligjin e miratuar janë vepra apo akuza që mund të mos klasifikohen si vepra penale por dëmtojnë rëndë figurën e mësuesit.
“Cilat janë veprat që diskreditojnë figurën e mësuesit dhe kush do ti klasifikojë? Për shembull, dehja në publik a përbën diskreditim të figurës së mësuesit. Ndalimi i mësuesit për hedhje sendesh në një ndeshje futbolli, basketbolli etj, a përbën diskreditim të figurës së mësuesit, rrahja në publik a përbën vepër penale, etj. Unë mendoj se zbatimi i këtij neni do të hasë vështirësi për të mos thënë se do të bëhet i pazbatueshëm dhe do të lejojë vend për abuzime”, thotë Mehmeti, duke shtuar se si mund të klasifikohet pozita e një mësuesi i cili del hapur me qëndrime raciste, homofobe etj.
Nga ana tjetër, sipas ekspertit të arsimit, nuk mund t’i lihet drejtorit të shkollës tagri për të pezulluar apo pushuar mësuesin pasi kjo i hap rrugë abuzimit.
“Duhet që dënimet apo më saktë ndalimi i ushtrimit të profesionit të jetë propocional me të drejtat e individit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



