Arsim

Psikologët: Hyrja në shkollë pa mbushur 6 vjeç, dëmton proceset e zhvillimit të fëmijëve

Nga Sorgena Leka – Ndër ndryshimet që do të bëhen vitin e ardhshëm akademik 2023-2024 është dhe regjistrimi i fëmijëve 5 vjeç në klasë të parë.

Ministria e Arsimit e ka lënë zgjedhjen në dorë të prindërve, nëse duan që fëmija i tyre të fillojë klasën e parë 5 vjeç apo nëse duan që ta lënë dhe një vit në parashkollor.

Psikologe Ariana Muça, thotë për Gazetasi.al se është kundra regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë kur janë 5 vjeç.

LEXO EDHE:
Ndryshime në ligjin e arsimit/ Nga regjistrimi pa mbushur 6 vjeç te shkollat me status të veçantë

“Kjo moshë i përket parashkollorit dhe për fëmijët është më e lehtë të përvetësojë një informacion nëpërmjet simboleve. Një fëmijë 5 vjeç është në gjendje të përdorë simbolet për të përpunuar informacionin e grumbulluar por nuk është në gjendje të integrojë këtë informacion me një tjetër informacion në mënyrë logjike”, thotë Muça e cila shpjegon me fjalë më të thjeshta se fëmija nuk është në gjendje të manipulojë dhe transformojë informacionin mendërisht në mënyrë logjike.

Një arsye tjetër që psikologia përmend është se një fëmijë mund të ndjekë me vëmendje udhëzimet verbale vetëm në moshën 6-7 vjeç, atëherë kur dhe është gati të mësojë pa sforcim.

Muça thotë se zakonisht këto sinjale fëmijët i shprehin pas moshës 6-vjeçare dhe prandaj shumë studime e quajnë si moshën e përshtatshme për klasën e parë.

“Në parashkollor fëmija mëson përmes lojës dhe kjo është e përshtatshme për të, pasi nuk ka detyra ose probleme për të zgjidhur”.

Elton Kuqja, psikolog, thotë për Gazetasi.al se nuk është ‘zgjedhje’ e duhur regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë në moshën 5-vjeçare sepse kjo do ti ekspozonte në një stres të panevojshëm.

“Është njësoj si për fëmijët që kanë qenë në parashkollor, si për fëmijët që futen direkt në klasë të parë”, thotë psikologu.

Psikologe Ariana Muça thotë se pas moshës parashkollore, që është mosha 5-vjecare, fëmija bëhet më realist dhe fillon të rritet aftësia mendore e fëmijës.

“Pasi mbyll parashkollorin në moshën 5-vjeçare fëmija është në gjendje të krahasojë veprimet e veta me të të tjerëve dhe të kuptojë nëse detyrat që i janë dhënë i ka bërë siç duhet”.

Gjithashtu, thotë psikologia, nga mosha 6 vjeçare ndodh dhe kognicioni social i cili është i lidhur me dijen që ka fëmija rreth marrëdhënieve sociale dhe reagimeve sociale.

Ndërsa psikologu Kuqja thotë për Gazetasi.al se faktori i maturimit konjitiv tek mosha 5-6 vjeçare duhet të jetë në vëmendje të prindërve pasi është një moshë shumë delikate kur fëmija fillon të njohë veten dhe të mendojë në mënyrë shumë më të ndërlikuar.

Prindërit nuk kanë pse të nguten

Edhe pse Ministrja e Arsimit Evis Kushi e arsyetoi vendimin duke thënë se kjo po bëhet për fëmijët që kanë një zhvillim të madh dhe prindërit duhet të konsultohen me ekspertë nëse duan ta regjistrojnë fëmijën në klasë të parë në moshën 5-vjeçare, psikologët thonë se në vendin tonë “ka prindër që për fat të keq nuk kanë formimin e duhur për të kuptuar se sa i rëndësishëm është zhvillimi i fëmijës në të gjitha fazat.

“Këshilla ime për prindërit që do jenë përballë kësaj dileme është që të presin edhe 1 vit në interes të fëmijës së tyre pasi nuk ka nevojë të ketë urgjencë në aspektin e shkollimit”, thotë Kuqja.

Ndërsa psikologe Muça thotë se këshilla e saj e vetme është që prindërit ti lënë fëmijët të kalojnë siç duhet fazat e zhvillimit, si mendor por edhe verbal dhe social.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë