Gazeta Si – Vangjush Dako kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke ankimuar vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që e la në “arrest në burg” për shpërdorim detyre në dy raste.
Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, ish-kryebashkiaku i Durrësit ka paraqitur në Apel kërkesën për ndryshim mase.
Togat e zeza të kësaj gjykate pritet të përcaktojnë datën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e gjyqtarit, i cili do të vendosë lidhur me këtë çështje.
Pak ditë më parë, në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Dako kërkoi detyrim paraqitje, “arrest shtëpie”, ose garanci pasurore, duke e konsideruar masën shtrënguese “arrest në burg” si të padrejtë.
Vangjush Dako u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimin se ka shpërdoruar detyrën në dy rate.
Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua.
Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.
Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.