Drejtësia

Akuza për ‘shpërdorim detyre’/ Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave merret zyrtarisht i pandehur

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, merret zyrtarisht i pandehur. Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe i ka komunikuar akuzën për “shpërdorim detyre”. Dosja do të dorëzohet në gjykatë brenda afatit 10 ditor, por fjalën e fundit per këtë çështje do ta thonë togat e zeza.

Në seancën paraprake, ku do të vendoset fati i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, gjykata mund të kalojë çështjen për gjykim, mund ta kthejë për plotësim hetimesh ose mund ta pushojë nëse bindet që s’ka prova për të provuar fajësinë e 3 të dyshurve.Së bashku me Gjokutajn, të pandehur janë marrë edhe Drejtori Juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi Alban Ruli.

Ata akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të shteti një dëm prej 1.2 milionë eurosh, duke trajtuar si ish-pronar Ilir Thanën.

Gjithçka nisi pas një kallëzimi të një banke të nivelit të dytë drejtuar Prokurorisë së Tiranës për një kredi të pashlyer, që zbuloi skandalin se si Ilir Thana u shpërblye dy herë për një pronë të blerë në vitin 1992, e cila iu kthye ish-pronarit tre vite më vonë. Me vendim gjykate, Ilir Thanës ju kthen paratë për blerjen e magazinës në vlerën e çmimit të tregut të kohës.

Në dokument thuhet se Ilir Thana u shpronësua dhe u dëmshpërblye në vitin 2015 dhe se Arlind Gjokutaj u vu në dijeni nga punonjës të Ministrisë së Financave.

Gjokutaj do të gjykohet në gjendje të lirë, ndërsa Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi Alban Ruli nën masën “arrest në shtëpi”.

Përmes avokatëve të tyre, 3 të pandehurit nuk i kanë pranuar argumentat e dhëna nga organi i akuzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë