Ka ndodhur

Masakra e Velipojës/ Arrestohet në Itali Elmilind Dyli, një prej autorëve të dyshuar

Për arrestimin në Itali të Elmilind Dylit, një prej autorëve të dyshuar për masakrën e Velipojës me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur, Policia ka dalë me njoftim zyrtar.

Policia njofton se prej disa ditësh kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Bazuar në këto informacione, Policia e Riminit organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi Elmilind Dylin.

Pas verifikimeve, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i thelluar i Elmilind Dylit, i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Dyli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 4 persona.

Konflikti në fjalë ndodhi më 27 qershor të 2021-t mes familjes Gocaj dhe Verracaku. Palët ishin pronarë hotelesh në Velipojë dhe shkak për ngjarjen e rëndë u bë një konflikt për vendosjen e çadrave në plazhin para bizneseve të tyre.

Nga të shtënat mbetën të vrarë më armë zjarri vëllezërit, Edmond e Xhovani Gocaj, kamarieri i biznesit të tyre Myrezim Zeneli, si dhe Kujtim Verracaku.

Ndërsa të plagosur mbetën Hasan Verracaku dhe Elmilind Dyli. Këta të fundit u arrestuan pas ngjarjes së rëndë dhe në atë kohë, gjykata i la në burg pa afat.

Gjithçka ndodhi kur familja Verracaku shkoi në hotelin e familjes Gocaj, që ndodhet pak metra larg biznesit të tyre, për t’u sqaruar për ndarjen e parcelave në plazh. Por sherri degradoi në përdorimin e armëve duke u shndërruar në tragjedi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë