Drejtësia

Vangjush Dako lihet në burg, mohon akuzat e SPAK-ut në gjykatë

Gazeta Si - Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, lihet në burg. GJKKO mori këtë vendim ndërsa caktoi masat e sigurisë “Arrest Shtëpie” për Adrian Bulkun dhe “detyrim paraqitje” për Diana Dedën.

Dako dhe 9 ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit akuzohen për “shpërdorim detyre”, “korrupsion” dhe “falsifikim dokumentash”.

Avokati: Po hetohet për një fakt penal historik, vendimin do ta ankimojmë

Petrit Ismaili, avokati i ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka dhënë një deklaratë për mediat pas vendimit të GJKKO, që la nën masën e sigurisë “arrest me burg” ish-kryebashkiakun, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Ismaili tha se Dako po hetohet për një fakt penal historik tashmë, ka 10-12 vjet, ndërsa shtoi se prokurori i çështjes nuk kishte asnjë fakt e asnjë provë për masën e kërkuar. Ndërkohë, ai shtoi se vendimi në fjalë do të ankimohet.

“Vendimi për mendimin tonë është në dispropocion për kohën e kryerjes. Dako po hetohet për një fakt penal historik. Ka 10-12 vjet që pretendohet për veprën penale, po t’i referohemi dispozitave për këto lloj masa sigurimi kërkohet një veprim procedural i ngutshëm për të marrë këtë masë. Vepra penale ka mbi 10-12 vjet. Prokurori nuk tregoi asnjë provë për këtë veprim të ngutshëm e asnjë provë për të justifikuar kushtet e kriteret e masës së sigurisë. Kërkesa jonë është ndryshimi i masës së sigurisë. Dako e ushtron aktivitetin e tij nëpërmjet organeve kolegjiale. Çdo strukturë ka përcaktuar detyrat. Nuk mund të mbajë kryetari përgjegjësi për strukturën organike. Edhe gjatë gjykimit sidomos për veprën e dytë doli qartë që është lapsus i prokurorisë. E pranoi lapsusin dhe do e provojmë që vepra penale nuk ekziston”, u shpreh avokati i Dakos, Petrit Ismaili.

Më herët, nga kafazi i qelqtë i Gjykatës së Posaçme, në një seancë maratonë për njohjen e masë së sigurisë, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka mohuar akuzat e SPAK për shpërdorim detyre.

Dako, përpra gjykatës, ka dhënë sqarime në lidhje me tenderin për projektin e zhvillimit të vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.

Sipas Dakos, kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni. Burime brenda seancës bëjnë me dije se kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender.

Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie. Avokati i tij mbrojtës Petrit Ismalili, përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhie me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masën e "arrestit shtëpiak", detyrim për t’u paraqitur apo edhe garanci pasurore.

Dako u vetëdorëzua dy ditë më parë në polici, pasi akuzohet prej SPAK-ut për shpërdorim detyre në dy episode, sikurse për akuzën e korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Dhënia e lejes së ndërtimit për një pallat 11 vite më parë në lagjen nr. 5 të Durrësit u bë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie.

Pallati pësoi dëmtime pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Pas hetimeve të nisura nga SPAK një vit më parë, u gjetën shkelje nga ana e ish kryebashkiakut Vangjush Dako dhe disa prej ish-zyrtarëve të tjerë. Në pranga ra edhe biznesmeni Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.

Episodi i dytë lidhet me tenderin e shëtitores së plazhit. Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në llogaritje, duke e dhjetëfishuar vlerën dhe duke i shkaktuar dëm shtetit 18 milionë Lekë. 

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin arrestimin e Vangjush Dakos dhe të 4 ish-zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, përfshirë ish Drejtorin Adhurim Qehajaj, si dhe pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farku dhe inxhinieren e kompanisë. Arrest me burg është kërkuar për tre ish punonjëse të Bashkisë së Durrësit.

Gjithashtu mësohet se hetimi i SPAK për Dakon është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë