Arsim

Olimpiada Botërore e Ekonomisë-Nxënësit shqiptarë fillojnë vonë edukimin

Nga Gazeta ‘Si’-Andrea Bylykbashi, Kaltrina Mehillaj, Kedri Dyrmyshi, Endi Saliko dhe Emira Bulku janë pesë studentët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Olimpiadën Botërore të Ekonomisë (IEO 2023) e cila do të zhvillohet në korrik me pjesëmarrjen e 45 shteteve.

Adrian Naço, anëtar Bordi i Shoqatës së Ekonomisë dhe njëkohësisht Drejtor Akademik i ‘Qendrës Virtus’ tregon për Gazetasi.al se nga eksperienca e dy viteve më parë, ekipet shqiptare kanë një specifikë që në njëfarë mënyrë ‘i penalizon’ krahasuar me shtetet e tjera.

Fakti që në shtetet e huaja lënda e ekonomisë zhvillohet që në moshë të hershme dhe në Shqipëri vetëm për maturantët, i bën ata që tani për tani të mos kenë shumë pritshmëri për renditjen.

Në vitin 2021 ekipi shqiptar është renditur në vendin e 31 nga 44 shtete pjesëmarrëse ndërsa një vit më vonë ai është përmirësuar duke u ngjitur në renditje në vendin e 29 duke lënë pas nga shtetet e rajonit Malin e Zi edhe Maqedoninë e Veriut.

‘Lëndës së ekonomisë duhet t’i jepet më shumë përparësi në shkollat publike’, citon Naco

Naço thekson për Gazetasi.al se ndonëse formimi individual i nxënësve që do të përfaqësojnë Shqipërinë është i lartë, shtetet e tjera kanë më shumë prioritet krahasuar me vendin tonë.

“Meqenëse ne kemi një handikap të tillë në kohën e marrjes së njohurive, e sollëm këtë olimpiadë për të sensibilizuar dhe për të nxitur më herët nisjen e përgatitjeve për këtë lëndë dhe për të ndryshuar kurrikulën.

Natyrisht që do të jetë e vështirë  dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për atë që na pret sepse studentët e tjerë janë më të familjarizuar edhe me gjuhën angleze duke qenë se i marrin njohuritë në mënyrë profesionale në këtë gjuhë.

Zakonisht studentët më të mirë nga Shqipëria janë ata që vijnë nga shkolla private me sisteme ndërkombëtare siç janë ai britanik apo zvicerian”, vëren ai duke shtuar se studentët e shkollave publike hasen me më shumë vështirësi.

Më tej thekson se Andrea Bylykbashi, fituesi i medaljes së arit në Shqipëri, vjen nga një shkollë me sistem të huaj.

“Ndonëse është në klasë të 11-të, për hir të faktit që lënda e ekonomisë është trajtuar më herët, ai ia doli që të dilte me një rezultat të shkëlqyer”, shton ai.

Studenti Andrea Bylykbashi

Naço tregon gjithashtu se tendenca për ekipet fituese është që tipikisht të vijnë nga shtete të zhvilluara ekonomisht.

Kështu, për të dy vitet e shkuara, tre shtetet që kanë mbajtur stafetën fituese janë SHBA-ja, Brazili dhe Kanadaja.

I pyetur nga Gazetasi.al se si është raporti i studentëve më të mirë sipas gjinisë, Naço rrëfen se në fakt në ekonomi ndryshojnë ekuilibrat.

“Krahasuar me matematikën ku raporti ka qenë gjithnjë 5 me 1, ku vetëm një është vajzë, ekuilibri në olimpiadën e ekonomisë është i balancuar për shkak se ekonomia në fakt është më e aksesueshme për të gjithë”, thotë ai duke theksuar se shifrat gjithmonë flasin kështu.

Si tregues, ai sjell mes të tjerash edhe shembullin e një studenteje.

“Sivjet një nga nxënëset e ekipit kombëtar qoftë në olimpiadën e matematikës edhe në olimpiadën e ekonomisë, ka fituar bursë të plotë në universitetin e Harvardit.

Ky është tregues dhe një lloj shembulli që promovon jo vetëm pjesëmarrësit e olimpiadës botërore të ekonomisë por edhe kategorinë e vajzave që, në fakt, edhe në bazë statistikash kanë një lloj vështirësie në thonjëza”, vëren ai.

Ai tregon se për të finalizuar pjesëmarrjen në Olimpiadën Botërore janë zhvilluar dy faza testimi.

Si në fazën e parë, edhe në fazën kombëtare testi ka qenë i njëjtë për të gjithë studentët dhe është zhvilluar në gjuhën angleze.

“Ndryshe nga olimpiada e matematikës, për hir të subjektit, kjo olimpiadë ka patur edhe disa specifika të tjera. Provimi këtë vit nuk ka qenë thjeshtë një tezë ku studenti sheh problemin, e zgjidh dhe më pas bëhet evaluimi i rezultatit.

Si elementë të vlerësimit kanë qenë edhe disa mini projekte, ku përfshiheshin esetë edhe njëkohësisht një prezantim verbal në sallë”, vëren mandej ai për Gazetasi.al.

Olimpiada e Ekonomisë është sjellë në Shqipëri nga qendra Virtus e cila për të tretin vit radhazi ka të drejtën ekskluzive të përzgjedhë ekipin shqiptar që do të përfaqësojë vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë