Partia Demokratike ka deklaruar se nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij nuk do të kishin mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë.
Në një deklatratë për shtyp pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që e dënoi Shullazin me 14 vjet burg, PD thotë se banda duhej të dënohej edhe për krime të tjera të pazbuluara dhe jo vetëm për gjobëvënie, ku sipas selisë blu policia dhe drejtësia kanë mbylllur ssytë.
“Kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme. Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emilano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore e qendrore. Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pa fituar plotësisht”, vijon deklarata.
Partia Demokratike nënvizon se pjesë e këtij vendimi duhej të ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, si pjesë e bandës së Shullazit: “Prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja. Përgjimet e prokurorisë faktojnë se deputeti Jurgis Çyrbja ishte një anëtar aktiv i bandës së Shullazit dhe informonte bandën për hetimet e prokurorisë. Shqiptarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit?”.
PD shton se drejtësia do të bëhet e plotë, kur para përgjegjësisë të vihen edhe Rama dhe Tahirin: “Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit? Drejtësia do të bëhet e plotë! Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit!”, – përfundon deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




