Gazeta Si – Novak Gjokoviç ka debutuar me fitore në Roland Garros, por gjithë vëmendjen e ka marrë mesazhi i tij politik, që mund t’i sjellë pasoja. Serbi shkroi në një kamer televizive: ‘Kosova është zemra e Serbisë! Stop dhunës’. Një reagim në lidhje me situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova e shpalli Pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit, por jo nga Serbia. Gjokoviç ka postuar sloganin politik edhe për ndjekësit e tij në Instagram.
“Si serb, më dhemb kjo që po ndodh në Kosovë, njerëzit tanë janë dëbuar nga komunat. E ndjej përgjegjësinë si personazh publik për të treguar mbështetje dhe veçanërisht e ndjej si biri i një njeriu që ka lindur në Kosovë. Është më e pakta që mund të bëj.
Ndjej obligim të tregoj përkrahje për popullin tonë dhe gjithë Serbinë. Kam dëgjuar se ka pasur shumë kritika në rrjetet sociale, nuk e di nëse dikush do të më dënojë, por do ta bëja sërish. Jam kundër luftërave dhe konflikteve të çdo lloji. Kosova është vatra jonë, kalaja jonë. Ka shumë arsye pse e kam shkruar këtë”, – ka thënë Gjokoviç.
Tani pritet se çfarë vendimi do të marrin organizatorët e turneut në Francës, apo dhe Federata Ndërkombëtare e Tenisit, sepse mesazhet politike janë të ndaluara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.