Muzike

Natë magjike në Tiranë, Nikos Vertis koncert madhështor në ‘Air Albania’

Këngëtari Nikos Vertis ka dhuruar magji në “Air Albania Stadium” ku ka mbajtur për herë të parë koncert në Tiranë.

Siç u pa edhe nga pjesëmarrja dhe jehona që pati, këngëtari ka një numër të madh adhuruesish e fansash të cilët mbushë shkallët dhe fushën e stadiumit.

Vertis këndoi live, i shoqëruar edhe nga kori i spektatorëve të shumtë në “Air Albania Stadium”.

Koncerti i mbajtur mbrëmë në Tiranë, renditet ndër shumë të tjerë të programuar në turneun e tij të titulluar “20 vjet ritëm dhe pasion”.

Në kuadër të këtij turneu Vertis ka qenë edhe në Sofie, Jerevan, Beograd si dhe në shumë qytete të Greqisë.

“Magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Rama ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga koncerti që mbajti mbrëmjen e djeshme këngëtari Nikos Vertis, në kuadër të Javës Kulturore të Greqisë.

Ky koncert mund të konsiderohet pika kulmore e Javës Kulturore Greke në Shqipëri që do të mbyllet më 29 maj.

Një ditë para mbajtjes së koncertit, këngëtari grek Nikos Vertis ka zbuluar origjinën e tij arvanitase. Ai u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili zbuloi edhe marrëdhënien e veçantë të këngëtarit me Shqipërinë, origjinën e tij arvanitase.

“Jam shumë i lumtur që Nikos Vertis është më në fund në Tiranë! Ajo që nuk dini është se emri i artit i këngëtarit është Nikos Vertis, por emrin e vërtetë e ka Nikos Arvanitidis. Për të gjithë arvanitasit, por edhe për ata që njohin historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe raportet tona, mbiemri yt është një kujtesë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë”.

Me një karrierë mjaft të suksesshme, në mbarë botën, ai është i njohur sidomos për hitin “Thelo na me nioseis”, por edhe për koncertet e tij në shumë vende të botës.

Kënga e tij “Thelo na me nioseis” sot shënon 195 milionë klikime në Youtube, duke u bërë kënga greke më e dëgjuar ndonjëherë.

Nikos Vertis është autor i pesë albumeve së bashku me një CD single, dhe dy albume CD/DVD edicion special.

Vertis është këngëtari i vetëm grek, i cili arriti të realizonte një koncert në Dolby Theatre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë