Para

Rritja e pagave / Dyfishim për deputetët dhe indeksim për të tjerët

Rritja e pagave për deputët dhe ministrat provokoi jo pak reagime dhe shkak duket të jetë një dallim mes kategorive që do të përfitojnë nga kjo rritje.

Kategoria e parë janë deputetët, ministrat, kryetarja e kuvendit dhe kryeministri, të cilëve rroga gati do t’u dyfishohet, ndërsa pjesa tjetër janë policë, mjekë, ushtarakë, mësues dhe nëpunës të tjerë të administratës, të cilëve paga do t’u indeksohet.

Paga e deputetëve nga 156 770 lekë shkon në 310 250 lekë.

Paga e ministrave nga 174 760 lekë shkon në 318 750 lekë.

Paga e kryeministrit nga 228 000 lekë shkon në 393.125 lekë.

Paga e Kryetarit të Kuvendit nga 228 000 lekë shkon në 393.125 lekë.

Por cili është ndryshimi në rritjen e rrogës së deputetëve dhe pjesës tjetër të nëpunësve shtetërorë?

Shifrat më lartë na tregojnë se për deputetët kanë bërë një kapërcim kolosal për shumat e parave me të cilat paguhen, gati duke e dyfishuar rrogën e tyre. Ndërsa për pjesën tjetër të administratës rritja është në kufijtë e indeksimit.

Në një analizë që Open Data Albania ka bërë për të gjitha kategoritë që përfitojnë si mjekë, ushtarakë, mësues, efektivë të mesëm të policisë etj, del se rritja e parave për këto kategori është afër vlerës së inflacionit, që vitin e kaluar ishte 6.7%, madje në shumë raste në një vlerë më të ulët.

Vetëm në disa raste pagat e rritura janë në vlera më të larta se shifrat e inflacionit, aty ku flitet për rritje reale të pagave. Në asnjë prej kategorive të tjera, pagat nuk kanë pësuar rritjen e lartë që deputetët dhe ministrat kanë bërë për veten e tyre, sipas analizës më poshtë:

Arsimi Para – Universitar

Paga e një mësuesi në arsimin fillor me Master ose ekuivalent është rritur nga 62 000 lekë në 65 400 lekë, vlerë nominale rritje 3400 lekë, ose 5.5%.

Në fakt paga reale (pas inflacionit) ka pësuar ulje me minus 1.2%.

Paga e një mësuesi në shkollat e arsimit të mesëm është rritur nga 68 900 lekë në 72 800 lekë, rritje me 5.7%. Kjo nënkupton që paga reale e tij ka rënë me 1%.

Një edukator në kopsht fëmijësh merr pas Prillit 55 400 lekë, kundrejt 52 500 lekë që merrte më parë. Rritja është në masën 5.5%, por në realitet ai mund të blejë 1.2% më pak të mira (produkte dhe shërbime) se më parë, për shkak të rritjes së çmimeve.

Si përfundim arsimtarët qëndrojnë në nivele të ulëta rritje të cilat po t'i indeksojmë me inflacionin kanë të ardhura që nuk u garantojnë të njëjtën fuqi blerëse si një vit më parë.

Shëndetësi

Mjek në hierarki të ndryshme kanë rritje të ndryshme. Përllogaritja është sipas rritjes së pagës bazë dhe shtesave bazë pa llogaritur vjetërsitë. Mjekët specialist kanë përfituar një shtesë në pagë të deklaruar bruto prej 50 000 lekë. Nëse llogarisim rritje nominale dhe rritje reale në disa raste rritja reale flet për rezultat negativ dhe te munguar.

Një infermier me Master përfitona rritje vetëm 3400 lekë apo 5.5% që po të kalkulojmë edhe Inflacionin paga si instrument i fuqisë blerëse shënon ulje me minus 1.2%.

Efektiva Policie

Paga e një Polici, Inspektor, u rrit nga 57 500 lekë në 61 500 lekë, rritje me 7%. Duke marrë nivelin e inflacionit për vitin 2022, rritja reale është vetëm 0.3% pasi inflacioni vjetor prej 6.7% ja ul fuqinë blerëse pagës.

Një Inspektor i dytë merr një pagë pas prillit, në masën 64 000 lekë nga 59 800 lekë që merrte përpara. Rritja nominale e pagës është 7%, por rritja reale është vetëm 0.3%.

Edhe këtu flasim për rritje të bazës pa përfshirë rritje për efekt vjetërsie e cila mbetet 2% e bazës, raporton Open Data.

Ushtarakët

Pagat e punonjësve të Forcave të Armatosura u shtuan ndryshe nga pagat e punonjësve të tjerë buxhetor, në muajin mars, me vendimin nr. 102, datë 01.03.2023.

Përgjithësisht pagat e punonjësve në Forcat e Armatosura u rritën me nivelin 7%, pra në njëfarë mënyre u indeksuan me nivelin e inflacionit dhe pësuan rritje reale me 0.3%.

Policia e Burgjeve

Një Inspektor në Burgje të Sigurisë së lartë pas Prillit 2023 merr 76 00 lekë, nga 70 400 lekë që merrte përpara. Rritja është në masën 8%, që do të thotë rritja reale është 1.3%.

Një Komisar në Burgje të Sigurisë së Lartë që merrte 89 000 lekë para Prillit, pas prill 2023, do të marrë 94 500 lekë. Rritja nominale është në masën 6.2% por me këto para ai do të blejë 0.5% më pak produkte dhe shërbime për shkak të rritjes së kostos së tyre llogaritur inflacion.

Stafe Mbështetëse Administratë

Qeveria Shqiptare me anë të vendimit nr. 242, datë 20.04.2023, ndryshoi edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës, ku futen punonjës si roje, sanitare, recepsionist. Në këtë kategori punonjësit futen pikërisht pjesa më e madhe e punonjësve që kanë pasur paga më të ulëta sesa paga e re minimale prej 40 000 lekë. Prandaj ky vendim ka qenë detyrim ligjor për t'u miratuar.

Një punonjës pastrimi sanitar pas Prillit 2023, paguhet 40 000 lekë, ndërkohë që kishte më parë pagën minimale prej 34 000 lekësh.

Një shofer i kryeministrit merr pagë 43 000 lekë, ndërkohë që merrte 37 700 lekë. Rritje me 14.1% e pagës nominale dhe 7.4% e pagës reale.

Paga e një punonjësi të ruajtjes së rendit në Gjykata bëhet 45 500 lekë nga 41 000 lekë që ishte më para. Rritja nominale është 11%, ndërkohë që rritja reale është 4.3%. Në përgjithësi paga e këtyre punonjësve është rritur në këto nivele, duke shënuar rritje reale të pagës nga 1.7% deri në rreth 11%.

Arsimi Universitar

Profesorëve u është rritur paga me rreth 28%, përkatësisht nga 121 000 lekë në 155 400 lekë. Në ndryshim nga rritjet e tjera, arsimi i lartë parashikon vetëm pagat e stafeve akademike dhe ato mbulohen pjesërisht nga buxheti i shtetit e pjesërisht nga vetë institucionet me të ardhurat e institucionit kryesisht nga tarifa të studentëve.

Ky lloj ndryshimi mund të kërkoje veç VKM së edhe vendimmarrje nga Universitetet çka parashikon se mund të mos finalizohet ne Prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë