Muzike

Nikos Vertis për herë të parë të enjten në Tiranë, ‘Air Albania’ do të jetë i tejmbushur

Nga Gazeta Si - Për herë të parë, këngëtari i njohur grek, Nikos Vertis, do të vijë  në një koncert madhështor mbrëmjen e së enjtes më 25 maj në Tiranë.

Në një natë të paharrueshme në “Air Albania Stadium”, duke nisur nga ora 19:00 artisti Nikos Vertis do të performojë për të gjithë ne.

“A jeni gati”, shkruan këngëtari në rrjetet sociale, i cili sipas organizatorëve ka ardhur që prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë.

Organizatorët e këtij eventi thonë për Gazetën “Si” se pjesëmarrja pritet të jetë shumë e madhe.

“Janë akoma duke u shitur biletat e fundit, por zonat VIP kanë qenë ‘sold out’ që në fillim. Edhe tribunat janë të gjitha të shitura. Biletat do të shiten deri nesër. Deri më tani ka super pjesëmarrje”, shprehen organizatorët.

Nikolaos Arvanitidis, i njohur më mirë me emrin e tij skenik Nikos Vertis është një këngëtar i njohur grek.

Ai ka lindur në Gorinchem të Holandës dhe origjinën e ka nga fshati Galipsos.

Me një karrierë mjaft të suksesshme, në mbarë botën, ai është i njohur sidomos për hitin “Thelo na me nioseis”, por edhe për koncertet e tij në shumë vende të botës.

Kënga e tij “Thelo na me noises” sot shënon 195 milionë klikime në Youtube, duke u bërë kënga greke më e dëgjuar ndonjëherë.

Nikos Vertis është autor i pesë albumeve së bashku me një CD single, dhe dy albume CD/DVD edicion special.

Vertis është këngëtari i vetëm grek, i cili arriti të realizonte një koncert në Dolby Theatre.

Vitin e shkuar, lajmi që bëri xhiron e botës ishte çmimi marramendës i tavolinës në ishullin Mykonos, përgjatë performimit treorësh të këngëtarit. Jo pak, por 15 mijë euro.

Në koncertin e tij në Mykonos, pavarësisht faktit që biletat varionin nga 350 euro më e lira deri në 15000 euro çmimi i tavolinës në rreshtin e parë, asnjë vend nuk ishte i lirë.

Tavolinat e para dominoheshin nga fansat fanatikë të këngëtarit, të ardhur nga Izraeli me avionë privatë. Vertisi këndoi pa pushim për rreth tre orë e gjysmë dhe emocionoi turmën ndërsa skena ishte e strukturuar dhe e ngritur në mënyrë të tillë që ai kaloi edhe tavolinat e fundit, duke dashur të falënderonte njerëzit që mbushën vendin.

Sukseset për artistin nuk kanë fund, në mbarë botën me koncerte të shumta në Izrael, Bullgari, Rumani, Turqi, Serbi, Qipro, SHBA, Kanada, Australi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë