Muzike

Rikthehet ikona e serenatës korçare Mihallaq Andrea

Nga Gazeta Si - I kishte munguar për një kohë shumë të gjatë publikut të tij. Dhe nuk kishte si të kthehej ndryshe përveçse me një koncert recital në skenën e Teatrit “Çajupi” në Korcë, ku këngëtari i serenatave, Mihallaq Andrea dhe kitara e tij, ndihen mirë, si në shtëpi.

Të shumtë kanë qenë në sallën e Teatrit të Korçës dashamirësit e artistit, të cilët ndoqën koncertin për rreth një orë e gjysmë, ku herëpasherë sëbashku me të kënduan serenatat korçare të kompozuara nga vetë kantautori.

Mihallaq Andrea risolli disa nga këngët e tij, krijimtari e shumë viteve në karrierën e artistit, ikonë e muzikës korçare, sidomos të serenatave, në një formë të re.

“Një herë duhet që të bëhet një dalje, dhe u bë ky koncert dhe shpresoj që të ketë dalë mirë. Mendoj se ndonjëherë serenatat këndohen vetëm me kitarë, por unë mendoj se këngës i shtohet vlera kur këndohen edhe me orkestër”, ka thënë ai.

Për artistët e tjerë që u bënë pjesë e koncertit recital, Mihallaq Andrea shkëlqeu, duke sjellë në një frymë të re serenatën korçare.

I pranishëm në koncertin recital të Mihallaq Andreas ishte edhe kantautori Redon Makashi, i cili tha se ishte emocionuese të ngjitej në një skenë me të, këngëtarin që e dëgjonte që në kohën kur ka qenë fëmijë.

“Ishte një koncert model siç i takon Korçës dhe Mihallaqi që ishte qershia e tortës në këtë koncert”, ka thënë Redon Makashi.

Ky rikthim i artistit nuk do të jetë i fundit dhe ndoshta ata që e duan artin e tij nuk do të presin aq gjatë si këtë herë.

I frymëzuar nga ata, Mihallaq Andrea premton së do të ngjitet sërish në skenë, me krijime të reja.

“Publiku është frymëzimi im. Për të krijuar, për të shkruar. Marrë gjithë gjetën. Inspirimi im publiku është. Do të keni këngë të tjera. Patjetër”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë