Motosport

Revolucion teknik te Mercedesi, në Montekarlo debuton makina e re W14

Gazeta Si – Në garën e radhës, ylli me tre cepa do të heqë dorë nga koncepti “Zero sidepod”. Jo vetëm kaq, makina W14 do të ketë edhe modifikime të tjera, të kërkuara nga Ljuis Hemilton për të rigjetur ndjesinë e garimit.

‘All-in’ te Mercedesi për të shumëpriturin revolucionin teknik, që nga projektuesit ka si qëllim të korrigjojë defektet e makinës aktuale për ta bërë atë kompetitive. Versioni B i makinave të Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll duhej të debutonte në pistën e Imolës këtë fundjavë, por kjo garë u shty dhe do të debutojë më 28 maj, në Montekarlo.

Makina e Hemilton ne garen e Majemit. Gazeta Si, 20 maj 2023

Pavarësisht vështirësive që paraqet cirkuitit në qytet, skuadra e drejtuar nga Toto Volf nuk do të humbasë më shumë kohë të çmuar. Makina do të vijë me ndryshime, pasi do të hiqet dorë nga “zero sidepod” e 2022-shit.

Versioni i ri i Mercedes W14 do të ketë një dizajn tjetër të pjesëve anësore, të frymëzuara nga Red Bull. Do të jetë e dukshme edhe nga sytë e atyre që nuk janë ekspertë dhe pritet që të ndryshojë radikalisht aerodinamikën e makinës. Por nuk është ky ndryshimi i vetëm.

Ljuis Hemilton do të ketë mjetin që dëshiron, pasi është ankuar shpesh se me makinën aktuale nuk ndihet mirë. Për Mercedesin aktual ai ka thënë se është “një nga ndjesitë më të këqija për dikë që drejton një makinë gare”. Ndryshimet e fundit pritet që të ndihmojnë pilotët për të manovruar më mirë pa pasur nevojën e ndryshimit të telaios.

Toto Volf dhe Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 20 maj 2023

Njoftimin për ndërhyrjet në makinë e ka bërë vetë Toto Volf për ‘Speed Week’: “Është e vërtetë që ‘cockpit’-i ynë është pak më përpara në krahasim me rivalët dhe kjo karakteristikë e bezdis Ljuisin. Ishte që në 2022-shin, por tani kemi një marzh prej rreth 15 centimetrash për pozicionimin e makinës.

Nga pikëpamja teknike nuk besoj se ky është një problem i makinës, por po punojmë për të përmirësuar pozicionin e pilotëve, sepse në raste të tilla nuk bëhet fjalë vetëm për gjëra racionale, si shpërndarja e peshës dhe aerodinamika, por edhe për ndjesinë e garimit. Hemilton ishte shumë i qartë për atë që pret dhe ne kemi dëgjuar mendimin e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë