Motosport

Hemilton ngre alarmin: Me gjendjen aktuale, Red Bull pa rivalë për shumë vite

Gazeta Si – Piloti i Mercedesit ka folur për shtypin anglez, ku ka theksuar: “Duhet ngushtuar sa më shpejt diferenca, sepse në kundërt Formula 1 do të humbasë edhe tifozët e sponsorët”.

Nuk është një nga ata që i thonë gjërat sa për të kaluar radhën Ljuis Hemilton. Dhe ajo që 7 herë kampion i botës ka deklaruar për ‘Mirror’ tingëllon si një alarm për Formulën 1. Nuk i përket vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes së këtij sporti.

Sipas Hemilton, ky sport mund të humbasë popullaritetin, sepse dominimi i Red Bull-it mund të zgjatë shumë, nëse të paktën rivalët kryesorë të tij, Ferrari dhe Mercedesi, nuk arrijnë të bëjnë diçka për të ngushtuar diferencën.

Hamilton, 7 here kampion bote ne F.1. Gazeta Si, 11 maj 2023

Tema është ajo që vitet e fundit ka diskutuar edhe vetë FIA, duke modifikuar rregulloren në shumë raste pikërisht me qëllimin për t’i dhënë këtij sporti spektaklin e humbur vitet e kaluara. Hemilton e sheh si rrezik dominimin absolut të skuderisë austriake, me 122 pikë distancë nga ndjekësi më i afërt.

“Nuk më takon mua të bind spektatorët të shohin një sport më shumë se një tjetër, – ka theksuar Hemilton. – Por, të flisja si fans para se si pilot, duhet të kuptoja pse tani sporti ynë nuk është aq tërheqës, si ndoshta NBA ose NFL. Gjatë viteve është punuar për të ngushtuar deferencat, por duket se nuk mjafton kurrë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë