Ligjvënësit e BE-së kanë rënë dakord për një sërë rregullash të ashpra mbi përdorimin e AI (inteligjencës artificiale), duke përfshirë kufizime në chatbot si ChatGPT.
Eurodeputetët votuan të enjten(11 maj) në favor të një sërë rregullash gjithëpërfshirëse që do të jenë pjesë e Aktit të Inteligjencës Artificiale të Europës, duke përfshirë një ndalim total të pothuajse të gjithë njohjes së fytyrës për mbikëqyrjen e qytetarëve.
Sipas propozimeve të Parlamentit Europian, zhvilluesit e modeleve gjeneruese të AI si ChatGPT do të duhet të zbulojnë përmbajtjen e krijuar nga AI dhe të publikojnë përmbledhje të të dhënave me të drejtë autori të përdorura për qëllime trajnimi, në mënyrë që krijuesit të mund të shpërblehen për përdorimin e punës së tyre.
Marrëveshja midis eurodeputetëve, të cilët kanë luftuar për masat për të kontrolluar inteligjencën artificiale për gati dy vjet, do të nisë negociatat midis vendeve anëtare të BE-së, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Europian në vitin e ardhshëm.
Ligji i propozuar vjen mes shqetësimeve në rritje në mbarë botën për abuzimet e mundshme të teknologjisë me zhvillim të shpejtë.
Javën e kaluar, Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së lëshoi një paralajmërim për industrinë, duke thënë se ishte “duke u fokusuar intensivisht në mënyrën se si kompanitë mund të zgjedhin të përdorin teknologjinë e AI, duke përfshirë mjetet e reja gjeneruese të AI, në mënyra që mund të kenë ndikim aktual dhe thelbësor tek konsumatorët”.
Mbikëqyrësi i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar po fillon gjithashtu një rishikim të tregut të AI.
Dragoş Tudorache, një eurodeputet që udhëhoqi zhvillimin e propozimeve, u tha gazetarëve se teksti i rënë dakord ishte ndër më të negociuarit në historinë e parlamentit, me më shumë se 1.000 amendamente.
“[Akti i AI] është legjislacioni i parë i këtij lloji në mbarë botën,” tha Tudorache.
“BE mund të udhëheqë rrugën, globalisht, në bërjen e AI-së me në qendër njeriun, të besueshëm dhe të sigurt.”
Shtetet anëtare dhe ligjvënësit ka të ngjarë të hyjnë në diskutime të zgjatura nëse njohja e drejtpërdrejtë e fytyrës është e pranueshme në rrethana të kufizuara si kur ka një kërcënim terrorist, thanë njerëzit me njohuri për diskutimet.
Parlamenti Europian pritet të miratojë rregullat në qershor, përpara se të fillojnë negociatat për formën përfundimtare të ligjit me institucionet e tjera të BE-së.
Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



