Sport

NFL vjen me 5 ndeshje në Europë sezonin e ri, luhen në Londër dhe Frankfurt

Gazeta Si – Fillon më 1 tetor në Angli dhe mbyllet më 5 dhe 12 nëntor në Gjermani, ku do të luajnë kampionët e Kansas Siti dhe legjendarët Patriots.

Pesë ndeshje në Europë, mes Londrës dhe Frankfurtit. NFL, apo futbolli amerikan, zbarkon në Europë sezonin e ardhshëm. Një spektakël për të mos u humbur, me ‘qershinë mbi tortë’ praninë në Gjermani të Kansas City Chiefs, kampionët në fuqi, kundër një skuadre ambicioze si Miami Dolphins.

Kalendari komplet do të bëhet publik këto ditë, por tashmë është mësuar se NFL do të luajë 5 ndeshje në Europë. Nuk ka Meksikë këtë herë, si në të kaluarën e afërt, ka një dyfishim të ndeshjeve gjermane, pas debutimit në 2022-shin.

Ndeshjet europiane të futbollit amerikan nisin me Jacksonville Jaguars-Atlanta Falcons, e vlefshme për javën e 4-t të kampionatit. Kjo ndeshje luhet më 1 tetor në stadiumin ‘Wembley’, katedralen sportive britanike. Po në Londër, por në stadiumin e Totenhemit, javën pasardhëse, Jaguars luajnë ndaj Buffalo Bills, një nga kandidatet për Super Bowl 2024.

Ndeshja e tretë është Tennessee-Baltimore, më 15 tetor, gjithmonë në Angli. Të gjitha këto ndeshje luhen në orën 14:30 (ora lokale).

Më 5 nëntor, në Frankurt luhet superndeshja Kansas City-Miami. Chiefs të Patrick Mahomes, sfidojnë Dolphins. Bëhet fjalë për një takim të javës së 9-të të NFL-së, më pas, më 12 nëntor, po në ‘Frankfurt Stadium’, luhet New England-Indianapolis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë