Gazeta Si – Batutën e Fernando Alonsos e di çdokush që ka parë qoftë edhe pak gara të Formula 1: “Nuk luftojmë kundër Fetel, por kundër Adrian Njuei dhe makinës së tij”.
Fernando duhet të diplomohet si docent universitar oportunizmi, por është fakt që ajo frazë provokuese që mund t’u referohet disa pilotëve të tjerë që kanë drejtuar makinat e Njuei, është universale. Vlen edhe sot me Maks Vershtapen (dhe Perez) në vend të Fetel, më parë me Najxhëll Mansell tek Uilliams, Mika Hakinen te MekLaren që trondiste edhe Mikael Shumakerin.

Prej më shumë se 30 vitesh janë me fat ato skuderi dhe ata pilotë që përfitojnë nga idetë e Njuei. Nëse rregullat bëhen dhe anashkalohen, apo ndryshohen, ka një të pashkruar që qëndron i palëkundur: askush në pistë dhe në gazeta nuk e nominon kurrë Njuei pa shprehjen “Gjeniu”. Dikush edhe mund ta ketë harruar se ai quhet Adrian.
Njuei është një inxhinier, i cili u përjashtua nga shkolla e mesme për shkak të një feste fundviti, ku ai u kujdes për zërin dhe luajti basin derisa dritaret shpërthyen. Ai është një inxhinier që nuk e ka dashur kurrë matematikën. Në Universitet merrte nota të ulëta dhe sot ua lë llogaritë bashkëpunëtorëve të tij.
Bobi Rahal, një nga miqtë e tij më të mirë, ish-pilot Indy, për të thotë: “Është një inxhinier që dëgjon erën”. Nuk rri me sytë te kompjuteri: dëgjon, shikon dhe mban shënime në fletoren me kopertinë të kuqe që mban gjithmonë me vete. Forca e tij ka lindur që kur çmontonte dhe rimontonte ‘Riley RMF’ të të atit, për makinat dhe garat di gjithçka.

Në SHBA projektoi makinën e parë, 83G, menjëherë fituese. Më pas pati kontaktin e parë me Ferrarin, gati 40 vjet më parë. Njuei bëri një test në Fiorano dhe mori një ofertë, por mendoi se nuk ishte mirë për të një kontratë afatgjatë.
Me kalimin tek Uilliams filloi legjenda, me data dhe sigla precize: FW14B dhe FW15C, 1992 dhe 1993, me dy emra, Mansell dhe Alen Prost. Po kaq tituj kampion bote të fituar falë një projekti ikonik. Në total 7 tituj dhe pastaj MekLaren, ku gjeti një zyrë me ngjyrë gri dhe e ndryshoi menjëherë. Ron Denis reagoi, por pastaj inxhinieri fitoi 3 Botërorë, para se ta thërriste Red Bull-i.
Në vitin 2006 ai shkoi në Salcburg, ku Ditrish Mateshitz i ofroi dyfishin e pagës. Aty nisi saga e Sebastian Fetel, pas lëvizjeve të inxhinierit, gjeniut që bën me krahë Red Bull-in. Rahal kishte të drejtë kur thoshte: “Merrni Njuei dhe nuk keni nevojë për pilotin më të mirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



